Lojtarëve të Anglisë u jepet lëng turshie për të ndihmuar në parandalimin e ngërçeve në Kampionatin Evropian.Mbrojtësi i krahut të “Tre luanëve”, Kieran Tripier u akuzua në mënyrë të rreme për doping nga tifozët në mediat sociale, pasi u pa duke konsumuar një “ilaç sekret magjik” gjatë fitores 1-0 të skuadrës së tij kundër Serbisë të dielën. Anësori, të cilit Garet Sauthgejt i beson krahun e majtë, ndërsa Ljuk Shou vazhdon të rikuperohet nga lëndimi, trembi tifozët për më të keqen gjatë momenteve të fundit të ndeshjes hapëse të Anglisë në “Euro 2024”, duke u shtrirë në fushë pas një dëmtimi. Por për fat të mirë për Anglinë dhe yllin e Njukasëllit, ai vuante vetëm nga ngërçi dhe u rikthye me shpejtësi në këmbë për të shtrirë këmbën e djathtë mbi tabelën e reklamave, përpara se të gëlltiste dy zarfe të veçantë që ia dha një mjek i ekipit.
Tripier qëndroi në fushë deri në fund të ndeshjes dhe për t’i siguruar Anglisë një portë të paprekur, me skuadrën e Sauthgejtit që qëndron në krye të Grupit C përpara ndeshjes së tyre të dytë kundër Danimarkës të enjten. Por mënyra në të cilën Tripier u ngrit menjëherë në këmbë i shtyu fansat dyshues të vënë në pikëpyetje ilaçin sekret dhe përmbajtjen e tij, me disa që shkuan aq larg sa të akuzonin në mënyrë të rreme mbrojtësin e krahut për “doping drejtpërdrejt në televizion”.
“Eh, çfarë po ndodh këtu? Tripier i bën vetes një injeksion”, postoi një tifoz në rrjetet sociale. Një tjetër shkroi: “Kur Tripier kapet me doping në TV drejtpërdrejt. Anglia duhet të skualifikohet”. Kampi i “tre luanëve” ka marrë me vete lëng turshie për “Euro 2024”, sepse pija është e njohur për vetitë e saj për të ndihmuar në luftimin e ngërçit. Studimet kanë zbuluar se ajo frenon ngërçet deri në “40 për qind më shpejt se sa të pish ujë”.
ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL