Fati i Milanit në tetë ndeshje. Arrigo Saki nuk harron të përfshijë në llogaritë e kuqezinjve edhe derbin e dyfishtë në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë. Në intervistën e tij për “Corriere dello Sport”, ish-trajneri nuk i ka kursyer as rezervat për lojtarë të veçantë dhe menaxhimin që po i bëhet klubi kuqezi ku nuk dihet ende se cili komandon.Nga lartësia e përvojës suaj, a arrini të kuptoni atë që po ndodh në Milanello në nivel drejtues?
Po më pyesni a do ta zgjedhë Furlani drejtorin sportiv? Oh, vërtet nuk e di. Në fillim të sezonit kam dëgjuar me veshët e mi Ibrahimoviçin të thotë se ai ishte shefi dhe se ai komandonte të gjithë të tjerët. Në teori, do të ishte krahu operacional i Xherri Kardinales, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë lexova se është administratori Furlani ai që vendos.
Po përgjegjësitë për gabimet kush i mban?
Nga jashtë, ndjesia është se ka pak rrëmujë: kush është në të vërtetë në krye tani? Dhe më e rëndësishmja, cili është fajtori për lëvizjet e këqija të deritanishme? Merkaton kush e bëri, po trajnerët, kush i zgjodhi? Te Milani duket sikur askush nuk e di. Pra, mund të themi se ata janë të gjithë fajtorë: nga administratorit, te drejtori teknik e deri tek Ibra që nuk ka një rol të caktuar në klubin kuqezi.
Po merkaton kush do ta drejtojë?
Duhet gjetur fillimisht një drejtor sportiv. E përmbledh shpresën time në një fjali: më pak inteligjencë artificiale, më shumë sy njerëzor. Shpresoj që gjithnjë e më shumë njerëz nga futbolli të punojnë te Milani dhe të jenë të aftë për të njohur talentet dhe më pas për t’i ndihmuar ata të rriten në karakteristikat e tyre. Sepse të dhënat statistikore mund të ndihmojnë, por nuk shpjegojnë gjithçka dhe mbi të gjitha nuk formojnë skuadra të mëdha në vetvete.
Pra, të gjithë fajtorë, edhe në skuadër?
Unë shpëtoj vetëm dy, Pulisiç dhe Reijnders. Të gjitha të tjerët, për një arsye apo një tjetër, performuan nën normë. Përtej vlerës së lojtarit individual, më duket se problemi te Milani ishte para së gjithash qëndrimi i përgjithshëm. Sa herë kemi parë një futbollist të humbasë topin dhe të mos kthehet më për ta rikuperuar? Dhe sa, në vend të kësaj, ndjekin me padurim kundërshtarin, duke u nxjerrë shkumë nga goja sepse ndjejnë një situatë të rrezikshme për ekipin?
Po liderë si Menja, Teo dhe Leao, si i keni parë?
Epo, a kanë performuar dhe a po performojnë aq mirë sa do të pritej nga potenciali i tyre? Sigurisht që jo. Atëherë duhet të kuptojmë pse. A ishin lajkatuar më parë apo janë në depresion tani? Përshtypja ime është se në vitet e mëparshme ata kishin njerëz në klub dhe në pankinë, të cilët ishin në gjendje të preknin telat e duhura për t’i bërë të performonin më mirë. Ndërsa sot jo.
Çfarë sezoni është ky për Milanin?
Superkupa nuk mjafton, ndaj derbi bëhet vendimtar në këto momente. Nëse duam ta sforcojmë pak parashikimin, mund të themi se në dy ose tri ndeshjet e ardhshme Milani do të dijë drejtimin përfundimtar të sezonit. Avantazhi i vetëm është se nuk ka shumë llogaritje për të bërë: kuqezinjtë mund dhe duhet vetëm të fitojnë. Gjithçka tjetër janë thjesht fjalë.
PANORAMASPORT.AL