Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, është i lumtur me merkaton e skuadrës së tij këtë verë dhe në konferencën për shtyp të ditës së fundit të merkatos përjashtoi ndonjë afrim tjetër të premten.
“Topçinjtë” janë një nga klubet që i mbyllën operacionet e merkatos që në javët e para, kur transferuan Kai Havercin, Deklan Rajsin dhe Jurrien Timberin. “Unë nuk pres që dikush të vijë”, tha trajneri spanjoll.
“Ne kemi bërë shumë dhe kemi pasur pak pasiguri edhe me disa lojtarë, kështu që duhej të ishim shumë të kujdesshëm dhe të gjenim alternativa. Ndonjëherë ju dëshironi të bëni gjithçka që ju nevojitet, por ndonjëherë nuk është e mundur dhe ne duhet të përshtatemi. Ne nuk mund të shkojmë të blejmë tre lojtarë të tjerë dhe nëse dikush tjetër lëndohet, të bëjmë diçka tjetër. Thjesht nuk ishte e mundur”.
JUNAJTID – Arteta u ndal të komentonte edhe kryendeshjen e kësaj jave, atë kundër Junajtidit.
“E dimë historinë mes dy klubeve dhe ndeshjet që kemi pasur në të shkuarën. Ato janë një shembull i mirë dhe do të jetë një ndeshje me të vërtetë rivalizuese dhe një betejë e madhe të dielën. Sigurisht që duam të largohemi nga fusha me tri pikët”, tha spanjolli.
PANORAMASPORT.AL