Pas kualifikimit të Arsenalit në finalen e Champions League, ish-sulmuesi Wayne Rooney ka kritikuar festimet e skuadrës londineze. Arsenali mposhti Atlético Madridin 1-0, me golin e Bukayo Saka, që vendosi gjithçka në “Emirates”, dhe siguroi biletën për finalen në Budapest.
Megjithatë, pas ndeshjes, lojtarët dhe stafi i Mikel Arteta u panë duke festuar me tifozët. Kjo nuk i pëlqeu Rooney, i cili u shpreh për “Prime Video Sport”: “E meritojnë të jenë këtu, por nuk e kanë fituar trofeun ende. Mendoj se festimet janë pak të tepruara. Festoni kur ta fitoni Champions-in!”
Nga ana tjetër, Arsène Wenger e mbrojti skuadrën, duke thënë se emocionet janë normale pas një arritjeje të tillë, por theksoi se fokusi duhet të kalojë menjëherë te finalja dhe trofeu.