Me një ndeshje ende për të luajtur dhe me 5 pikë epërsi ndaj Manchester City, skuadra e Arsenal mund të festojë që sot titullin kampion në Premier League. Skuadra e Arsenal fitoi 1-0 dje ndaj Burnley dhe në rast se “citizens” humbasin apo barazojnë sot ndaj Bournemouth, atëherë “topçinjtë” do të shpallen metamatikisht kampionë.
Trajneri Mikel Arteta thotë se do të jetë tifozi “më i madh” i Bournemouth sot në mbrëmje, deklaratë që është si një hakmarrje pas asaj të Pep Guardiola, që mbështeti West Ham kundër Arsenal javën e kaluar. Bournemouth aktualisht është në një seri prej 16 ndeshjesh pa humbje, më e gjata e këtij lloji në pesë ligat kryesore të Evropës.
“Do të jem tifozi më i madhi që ka parë ndonjëherë skuadra e Bournemouth” tha Arteta. Më tej, ai vazhdoi: “Do të bëj tifo për Andoni (trajneri Iraola), të gjithë lojtarët dhe të gjithë mbështetësit e Bournemouth. Mendoj se të gjithë jemi tifozë të Bournemouth sepse e dimë çfarë do të thotë nëse ata marrin një rezultat.”
I pyetur nëse do t’i dërgojë Iraola ndonjë mesazh ose këshillë, Arteta tha: “Nuk mendoj se është e nevojshme. Ajo që ai ka bërë në atë klub futbolli, transformimi, për çfarë po luajnë, nuk mendoj se ata kanë nevojë për diçka tjetër”.
Arteta ka pranuar se nuk do ta shikojë ndeshjen me lojtarët e Arsenal sot, por do të jetë në shtëpinë e tij, me familjen e tij. “Nuk e di se sa gjatë do ta shikoj. Do të jem atje para televizorit, por nuk e di se sa shumë do të jem në gjendje ta shikoj, ky është realiteti“, deklaroi Mikel Arteta.