Wednesday, 19. August 2026
Futboll

Aston Villa nuk ndalet në merkato, zyrtarizon dy përforcime të mëdha

GS 19/08/2026 2 Min. Lesezeit

Aston Villa ka bërë zyrtare dy përforcime të reja për sezonin e ardhshëm, duke afruar në skuadër portierin japonez Zion Suzuki dhe mbrojtësin italian Matteo Ruggeri.

Klubi anglez po vazhdon të jetë aktiv në merkato, me synimin për të ndërtuar një skuadër sa më konkurruese si në Ligën Premier, ashtu edhe në Ligën e Kampionëve.

Pas afrimeve të Johan Manzambit nga Freiburg, João Gomes nga Wolves dhe huazimit të Alejandro Garnachos nga Chelsea, Aston Villa ka finalizuar edhe dy lëvizje të tjera të rëndësishme.

Transferimet e Ruggerit dhe Suzukit janë konfirmuar nga vetë klubi përmes faqes zyrtare.

“Aston Villa ka kënaqësinë të njoftojë nënshkrimin e Matteo Ruggerit nga Atlético Madrid”, thuhet në njoftimin për mbrojtësin italian.

Ndërsa për portierin japonez, klubi anglez njoftoi: “Aston Villa ka kënaqësinë të njoftojë nënshkrimin e Zion Suzukit nga Parma”.

Sipas raportimeve, Aston Villa ka shpenzuar rreth 18 milionë euro për Ruggerin, ndërsa transferimi i Suzukit kap vlerën e rreth 35 milionë eurove.

Me këto dy përforcime, skuadra nga Birminghami po tregon qartë ambiciet e saj për sezonin e ri.

Teilen: