Ylli i dytë në fanellën e Interit u “qëndis” kundër rivalit të rivalëve, Milanit.Kurrë nuk kishte ndodhur më parë në histori që një skuadër e Milanos të fitonte titullin në derbi, por më 22 prillin e vitit të kaluar historia ndryshoi. Interi kishte shansin e parë për t’u shpallur kampion dhe nuk zhgënjeu. Në fakt është shumë e vështirë që Interi i tij të gabojë përballë skuadrave të mëdha të kampionatit. Në sezonin e kaluar, numrat tregojnë se në sfidat direkte, Simone dhe të tijtë thuajse kanë fituar gjithmonë.
Mes ndeshjeve në shtëpi dhe atyre në transfertë, ka arritur të fitojë të paktën 1 herë ndaj skuadrave më të mëdha të kampionatit italian. Dhe tani vjen Atalanta. Zikaltrit e Gasperinit “trokasin” në derë në momentin e duhur. Kur Interi rigjeti besimin, “kyçi” portën dhe e bëri San Siron sërish të këndonte si një vit më parë. Tani mungon hapi i fundit. T’u tregojë të gjithëve se kur Interi gjen përpara një skuadër të madhe, e shkel gazin në maksimum.
PËRGJIGJE- Kjo është përgjigjja e parë që Interi kërkon t’i japë Juventusit kryesues. Është ndryshe këtë herë. Në startin e këtij kampionati, Interi është në ndjekje të Juventusit që komandon i vetëm Serinë A. Nuk ndodhte prej 4 vitesh. Nuk është as çështje pikësh (vetëm 2) dhe as çështje vlerash absolute sepse jemi thjesht në faqet e para të romancës. Por është një çështje koncepti: Rivaliteti Inter-Juventus është rikthyer. Shumë besojnë që klasikja e Italisë do të jetë dueli në distancë mes dy skuadrave që do të luftojnë për titullin. Por kampionët e Italisë duan të ngrënë zërin, si për të thënë që gabuam në start, por i rregulluam gjërat dhe do të rikthehemi të dominojmë. Dhe për ta provuar veten, nuk ka rast më të mirë sesa sfida që do të luhet nesër mbrëma kundër bandës së Gasperinit.
TË VËRTETAT- Plani është i qartë. Të premten, Inzagi kërkon që skuadra e tij të bëjë Interin. Të luajë mirë, të jetë në formë, të rigjejë liderët dhe të provojë të rinjtë në një mbrëmje të nivelit të lartë. Simone do gjithçka. Kërkesat nuk janë thjesht fiksime, por fryt i punës së verës. Faza përgatitore ka qenë ndryshe këtë herë, për shkak të kalendarit të ngjeshur që do të kenë thuajse të gjitha skuadrat. Inzagi me stafin e tij kanë rrethuar me të kuqe sfidën kundër Atalantës, sepse është e para e vërtetë ku skuadra duhet të luajë me ritëm. Nesër duhet të jetë Interi i vërtetë.
ARMËT– Një dëmtim ka lënë jashtë Lautaron gjatë këtyre ditëve, por ai është rikuperuar. Në ndeshje të tilla ai thotë gjithmonë fjalën e tij, ku në sezonin e kaluar shënoi 7 gola në përballjet direkte. Inzagi mund të mbështetet tek Turam që po ashtu në duelet me të fortat ka shënuar 6 gola. Tani eksperienca e Taremit mund të ndihmojë. Iraniani jeton për sfida të tilla. Pastaj janë Barela e Çalhanoglu, lojtarët që luftojnë për gjithçka.
ARTI I INZAGIT- Një tjetër armë është trajneri Simone Inzagi. Specialisti i ndeshjeve teke dhe të tilla. Shumë pak trajnerë dinë t’i përgatisin ndeshjet e rëndësishme dhe që vlejnë si Simone. Këtë e di Milani, që prej 6 derbesh thyhet keq, por e di edhe Juventusi. E di edhe Atalanta. Që nga dita kur Inzagi ka marrë drejtimin e Interit, Gasperini nuk e ka mundur kurrë.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL