Me një fizik të fuqishëm dhe i saktë para porte, “bomberi” francez i Borussia Monchengladbach, Marcus Thuram është kthyer në “shënjestrën” e “gjigandëve” evropianë këtë merkato vere, me 10 klube nga Italia, Franca, Spanja e Anglia që duan të bëjnë të tyrin, pas përfundimit të kontratës me gjermanët.
Sipas prestigjiozes franceze, “L’Equipe”, “los colchoneros” të Ateltico Madrid, “zikaltërit” e Inter dhe një klub i Bundesliga që ka arritur të kualifikohet për në Champions League, por që emri deri në këto momente nuk i është bërë i ditur, kanë bërë një ofertë zyrtare francezit, pas përfundimit të kontratës me Gladbach.
Interes të madh për sulmuesin 25-vjeçar të “gjelave” francezë kanë treguar gjithashtu dhe Manchester United, Milan e PSG, me këta të fundit që kanë shtuar shumë interesin e tyre vitet e fundit për nënshkrime me lojtarë francezë.
Ndërkaq, kujtojmë se Thuram ka regjistruar këtë sezon 31 paraqitje me fanellën e Borussia Monchengladbach, në të cilat ka gjetur 16 herë rrugën e rrjetës, si dhe ka asistuar në 7 raste shokët e tij të skuadrës. /i.m /abcnews.al