Ballkani e ka fituar duelin e parë të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Konferencës, duke e mposhtur Florianën e Maltës, 4:2.
Nënkampioni i Kosovës, ishte dy herë në disavantazh gjatë pjesës së parë, por që u rikthye dhe përmbysi rezultatin për të mos lejuar befasi, në kryeqytet.
Skuadra nga Suhareka u gjet në disavantazh pas tetë minutave lojë në “Fadil Vokrri”, kur mysafirët shënuan përmes Grech që shënoi nga pika e bardhë nga një penallti e dyshimtë.
Bleart Tolaj barazoi shpejt në minutën e 13-të, edhe pse maltezët rikthyen avantazhin në minutën e 25-të me Jah.
Festa e mysafirëve nuk zgjati as dy minuta kur Sunday Adetunji barazoi shifrat në 2:2 para se Tolaj të dërgonte Ballkanin në pushim, me golin e dytë personal dhe rezultatin 3:2.
Në pjesën e dytë, në minutën e 76-të, Adetunji me golin e dytë në ndeshje i dha fund dilemës së fituesit, në duelin e parë për rezultatin final 4:2.
Pas një jave, në Maltë zhvillohet ndeshja e kthimit me Ballkanin që ka gjasa të mira ta siguroj fazën e tretë të kupës evropiane, aty ku për dy sezobe rresht (2022-23 dhe 2023-24) ishte pjesëmarrës në fazën e grupeve.