Ballkani dhe Gjilani ndanë pikët në kuadër të xhiros së 11-të në një përballje spektakolare që përfundoi 3-3.
Ballkani e nisi mirë ndeshjen dhe vetëm pas pesë minutave kaloi në epërsi falë golit të Lindon Emërllahu, që goditi bukur nga distanca duke pasur edhe ‘bashkëpunimin’ e portierit Kenan Haxhihamza.
Gjilani u hodh me të gjitha forcat në sulm dhe 10 minuta më vonë barazoi rezultatin në 1-1 me Armend Thaqin që shënoi gol fantastik nga distanca.
Kuqebardhët përmbysën gjithçka pesë minuta para fundit të pjesës së parë, kur Senad Jarovic asistoi bukur te Edi Basa i cili shënoi njëgol të bukur me kokë për 1-2.
Me epërsinë minimale të Gjilanit 1-2 u mbyllen edhe 45 minutat e pjesës së parë.
Ballkani u hodh në sulm me të gjitha forcat në pjesën e dytë, derisa kur kaluan një orë lojë erdhi edhe goli i barazimit.
Sunday Adetunji asistoi te Giovanni Ribeiro i cili shënoi nga distanca për të barazuar shifrat në 2-2.
Vendasit fituan penallti në minutën e 80-të, derisa nga pika e bardhë Bernard Karrica realizoi për 3-2.
Por drama në stadiumin e qytetit në Suharekë nuk përfundoi, pasi në minutën e 87-të Elmando Gjini, i fundit, ndaloi Senad Jarovicin dhe u ndëshkua me karton të kuq.
Në minutën e 93-të, Gjilani fitoi penallti ku patën rast të artë për të barazuar. Armend Thaqi goditi nga pika e bardhë, goditja e tij u prit nga Enea Koliçi.
Megjithatë topi shkoi te Senad Jarovic i cili goditi shtyllën dhe nga topi i rikthyer përfitoi Armend Thaqi që shënoi nga afërsia për 3-3.
Deri në fund gola më nuk pati dhe ndeshja u mbyll baras 3-3 me dy skuadrat që morën nga një pikë.
Ballkani mbetet në krye të tabelës me 19 pikë, ndërsa Gjilani kalon në pozitën e shtatë me gjashtë pikë më pak.