Barcelona mund të mburret se në radhët e saj ka treshen më të mirë në Evropë. Të mërkurën, të tre sulmuesit e saj dhuruan një shfaqje të vërtetë ndaj Dortmundit, duke e çuar skuadrën praktikisht në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve.
Kjo është hera e tretë këtë sezon që të tre shënojnë në të njëjtën ndeshje. Çuditërisht, dy të mëparshmet ishin kundër të njëjtit rival: Realit të Madrid. E para ishte në La Liga kur fituan 0- 4 me dy gola të Levandovskit dhe nga një për dy të tjerët. E dyta ishte në finalen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite në janar, e cila përfundoi 2-5 me dy gola të Rafinjës, një të polakut dhe një të Lamin Jamalit.
Nuk ka asnjë treshe tjetër aq efektive në Evropë dhe shprehja maksimale e saj është në Champions, ku braziliani është golashënuesi më i mirë i kompeticionit me 12 gola i ndjekur nga Levandovski me 11. Dhe ata po e bëjnë këtë me dy ndeshje më pak se shumica, pasi nuk u desh të luanin në play-off për të arritur në çerekfinale. Pas tyre është Lamin Jamal që ka shënuar katër gola.
Megjithatë, nëse filloni të mblidhni asistet, shifrat fillojnë të bëhen tronditëse, pasi Rafinja kryeson renditjen me shtatë dhe Jamal ka tre. Në total, tre lojtarët kanë shënuar 82 gola në të gjitha ndeshjet në këtë sezon: Levandovski ka 40 gola, Rafinja 28 dhe Lamin Jamal 14.
LEVA SI NJË DJALOSH – Sezoni aktual i Robert Levandovskit ka qenë një surprizë. Pas një viti të varfër, polaku po arrin rekorde që nuk i kishte arritur prej vitesh. Në këtë pikë të sezonit, ai ka shënuar 40 gola për skuadrën blaugrana (99 gola gjithsej që kur u bashkua me skuadrën) dhe ka ruajtur qëndrueshmëri të shkëlqyer që nga java e parë në La Liga. Ai është gjithashtu një lojtar që shfaqet shpesh në ndeshje të mëdha.
RAFINJA I MAHNITSHËM – Lëvizja e brazilianit ka qenë gjithashtu një surprizë e madhe. Nuk duhet harruar se ai ishte në prag të largimit nga klubi verën e kaluar. Megjithatë, ardhja e Flik e ka rigjallëruar atë. Gjermani pati një bisedë me lojtarin gjatë përgatitjeve të verës, në të cilën ai i dha besimin e duhur. Që atëherë karriera e tij ka qenë në rritje të vazhdueshme. Ai kurrë nuk kishte shënuar kaq shumë gola apo dhënë kaq shumë asiste. Ai është ndoshta lojtari më i mirë i Barcelonës këtë sezon.
FAKTORI JAMAL – Ylli 17-vjeçar i Barcelonës nga ana e tij sjell magjinë. Shifrat e tij nuk janë aq spektakolare sa ato të shokëve të skuadrës, por ai është vendimtar në krijimin e hapësirave të nevojshme për shokët e tij të repartit. Edhe pse vetëm 17 vjeç ai po paraqitet në një nivel të jashtëzakonshëm. Ai merr peshën e plotë të lojës sulmuese që kalon gjithmonë nga krahu i tij.
PËR GJITHÇKA – Këta tre lojtarë e bëjnë Barcelonën një pretendente për tripletën e këtij sezoni. Pa harruar që tashmë, katalanasit kanë fituar Superkupën e Spanjës. Me një paraqitje si ajo kundër Dortmundit, ata po e bëjnë të qartë se gjithçka është e mundur. Morali i ekipit është shumë i lartë dhe ata janë vërtet të bindur se mund të arrijnë diçka të madhe këtë sezon. Ata janë pozicionuar në krye të tabelës në La Liga, janë kualifikuar në finalen e Kupës së Mbretit kundër Realit dhe janë praktikisht në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
MOS HARRONI “PESHKAQENIN” – Edhe pse tredhëmbëshi i Barcelonës merr të gjitha lëvdatat, do të ishte e padrejtë të harrohej Ferran Torres. Valenciani ka shënuar gjithsej 16 gola këtë sezon, por përqindja e golave për minutë të luajtur është më e lartë se çdo treshe. Pa kontributin e tij, Barcelona nuk do të ishte në një pozicion të qartë për të konkurruar për të tre titujt në këtë pikë.
LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL