Pas dëmtimit të Marc-André ter Stegen, i cili do të duhet të qëndrojë jashtë fushës për të paktën 8 muaj për shkak të dëmtimit të rëndë në gjurin e djathtë, Barcelona është në kërkim të një portieri. Tregu i transferimeve, siç e dimë, është mbyllur që prej datës 30 gusht dhe për këtë blaugranët nuk do të mund të bëjnë gjë tjetër veçse të shikojnë listën e lojtarëve të lirë, me një emër që mund të jetë me më shumë interes se të tjerët.
Sipas lajmeve që vijnë nga redaksia e tuttomercatoweb, në krye të listës është Etrit Berisha, i cili ka veshur fanellën e Empolit sezonin e kaluar, por që ka luajtur edhe për Lazio, Atalanta, SPAL e Torino. Në moshën 35-vjeçare mund të vinte mundësia më e madhe, ajo e Barcelonës, e cila brenda pak ditësh pret të nënshkruajë me një tjetër portier për ta vënë në dispozicion të Hansi Flick.