Barcelona ka bërë ofertën e tretë zyrtare për Rodri Hernández, në përpjekje për të bindur Manchester Cityn që ta lejojë mesfushorin spanjoll të largohet nga “Etihad”.
Sipas gazetarit Ben Jacobs, propozimi i ri i klubit katalanas është mbi 60 milionë paund, rreth 70 milionë euro, një shifër që mund të jetë pranë kërkesave të Manchester Cityt.
Klubi anglez kishte refuzuar ofertën e parë të Barcelonës, e cila kapte vlerën e 45 milionë eurove plus bonuse. Edhe propozimi i dytë nuk kishte marrë dritën jeshile, ndonëse me realizimin e bonuseve mund të arrinte rreth 65 milionë euro.
Manchester City raportohet se është i gatshëm të diskutojë largimin e Rodrit për një shumë prej 70 deri në 80 milionë eurosh. Për këtë arsye, oferta e tretë e Barcelonës mund të jetë shumë pranë shifrës së kërkuar nga kampionët anglezë.
Një faktor i rëndësishëm në këtë histori është edhe dëshira e futbollistit. Rodri i ka dhënë tashmë “po”-në e tij Barcelonës dhe Manchester City është në dijeni të vullnetit të mesfushorit për t’u transferuar në “Camp Nou”.
Rodri u paraqit të premten në qendrën stërvitore të Manchester Cityt, ndërsa trajneri Enzo Maresca foli për gjendjen e tij pas një ndërhyrjeje të vogël në shpinë.
“E pashë Rodrin në ndërtesë dhe e përqafova fort. Duket mirë, ndaj do të shohim se çfarë do të ndodhë”, deklaroi Maresca pas stërvitjes.
Mesfushori spanjoll vazhdon të jetë në fazën e rikuperimit dhe mbetet e paqartë nëse do të jetë i gatshëm për finalen e Community Shield ndaj Arsenalit, e cila zhvillohet të dielën.
Ndërkohë, Manchester City po synon të përfitojë maksimalisht financiarisht nga largimi i mundshëm i Rodrit. Një pjesë e të ardhurave nga shitja e tij mund të përdoret për transferimin e Enzo Fernández nga Chelsea.
Chelsea kërkon rreth 140 milionë euro për mesfushorin argjentinas. Në të njëjtën kohë, largimi i Tijjani Reijnders drejt Al Qadsiah për rreth 60 milionë euro pritet të finalizohet së shpejti, duke i krijuar Manchester Cityt më shumë hapësirë financiare për të ndërhyrë në merkato.
Tashmë gjithçka është në duart e Manchester Cityt. Barcelona ka paraqitur ofertën e tretë dhe është afruar ndjeshëm me kërkesën e klubit anglez, ndërsa Rodri e ka bërë të qartë dëshirën për t’u transferuar në “Camp Nou”.
Kështu, saga për mesfushorin spanjoll pritet të hyjë në një fazë vendimtare gjatë ditëve të ardhshme.