Barcelona ka dhuruar një paraqitje spektakolare, duke mposhtur Borussia Dortmundin në shtëpi me rezultat të thellë 4-0 në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Katalanasit dominuan nga fillimi deri në fund, duke bërë një hap të madh drejt gjysmëfinales.
Ndeshja u zhbllokua në minutën e 25-të kur qendërmbrojtësi i ri Pau Cubarsí dha një asist për Raphinhan, i cili ia mori golin qendërmbrojtësit spanjoll, pasi topi edhe ashtu po përfundonte në rrjetë.
Vetëm tre minuta pas rifillimit të pjesës së dytë, në minutën e 48-të, ishte sërish Raphinha që ishte protagonist, këtë herë si asistues për Robert Lewandowskin, i cili nuk fali përballë portës, duke dyfishuar avantazhin.
Barcelona vazhdoi me të njëjtin intensitet edhe më pas. Në minutën e 66-të, Fermin Lopez dha një pasim vendimtar për Lewandowskin, i cili realizoi golin e tij të dytë personal dhe të tretin për skuadrën.
Për të vulosur fitoren e madhe, doli në skenë ylli i ri Lamine Yamal, i cili shënoi në minutën e 77-të.
Me këtë fitore bindëse 4-0, Barcelona tashmë ka një përparësi të konsiderueshme përpara ndeshjes së kthimit në Gjermani.
Dortmundit i duhet një mrekulli në shtëpi për të përmbysur këtë disavantazh dhe për të vazhduar ëndrrën evropiane.