Barcelona po e ndjek nga afër situatën rreth Lisandro Martínez dhe mund të ndërmarrë hapa për ta afruar atë me parametër zero në vitin 2027. Kështu raporton ‘Sky Sport’, e cila dha një përditësim mbi të ardhmen e mbrojtësit.
Pasi mbërriti te Manchester United në vitin 2022 dhe më pas fitoi Kupën e Botës me Argjentinën në Katar, e ardhmja e Martínez në Premier League mbetet tani tejet e pasigurt. Sidomos pas polemikave të javës së kaluar me klubin.
Mbrojtësi argjentinas po e vlerëson të ardhmen e tij së bashku me stafin që e rrethon, pas një reagimi të ashpër publik ndaj drejtuesve të Manchester United. Agjentët e mbrojtësit kanë filluar të bëjnë sondazhet e para, duke bërë të ditur disponueshmërinë e tij për klubet e interesuara.
Lojtari 28-vjeçar ka qenë nën vëzhgimin e drejtuesve të klubit ‘blaugrana’ prej disa sezonesh, pasi ata i vlerësojnë lart aftësitë dhe cilësitë e tij. Megjithatë, largimi i tij nuk është një gjë e sigurt. “Djajtë e Kuq” kanë një opsion të njëanshëm për ta zgjatur kontratën e mbrojtësit me një vit shtesë.