Thursday, 26. November 2026
Sport

Berisha: Universitetet po kalojnë kohën më të vështirë, arsimi në rënie vertikale

GS 26/11/2026 3 Min. Lesezeit

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi në Kuvend se universitetet publike në Shqipëri po përballen me krizën më të rëndë, ndërsa arsimi i lartë dhe ai parauniversitar kanë hyrë në një rënie të fortë.

Sipas tij, politikat aktuale po dëmtojnë institucionet akademike dhe po kufizojnë aksesin e të rinjve në arsim.

Duke u ndalur te rasti i Korçës, Berisha vlerësoi traditën frankofone dhe rolin historik të Liceut të Korçës, por kundërshtoi shndërrimin e godinës së Fakultetit të Shkencave të Universitetit të Korçës në gjimnaz.

“Vlerësojmë vazhdimin e traditës frankofone dhe konsolidimin e saj, në të cilat në mënyrë të padiskutueshme liceu i Korçës ka qenë një institucion shumë i rëndësishëm.

Por absolutisht e konsideroj të papranueshme që të merrni korpusin e fakultetit të shkencave të universitetit të Korçës dhe ta transformoni në një gjimnaz.

Edhe në qoftë se për një moment ta zëmë se nuk ka studentë për shkencat në atë universitet, përshtaten programe të tjera për degë të tjera të cilat janë me qindra, por universiteteve nuk u merren, siç bëni ju, as mjediset, as pronat.

Korça ka hapësira, ka mundësira dhe ajo ndërtesë duhej ndërtuar nga e para dhe jo të veproni në këtë mënyrë. Njerëz që mund t’u thuash çdo epitet, por nuk dua të prish gojën”, tha Berisha.

Ai argumentoi se, edhe në rast mungese të interesit për programe të caktuara, universitetet duhet të përshtatin degët ekzistuese pa iu marrë pronat apo mjediset, ndërsa godinat e reja arsimore, sipas tij, duhet të ndërtohen nga e para.

Ai akuzoi qeverinë se po zhvillon hapësira universitarë pa projekte të qarta zhvillimi, çka sipas tij i shtyn studentët drejt universiteteve jashtë vendit për shkak të kostove të qirave.

Në vijim të deklaratës, Berisha akuzoi drejtimin e arsimit për menaxhim të dobët dhe referoi vlerësimin ndërkombëtar PISA, duke pretenduar se Shqipëria nuk ka përmbushur kriteret e kërkuara për zbatimin e testimeve.

“Të njëjtën gjë bëri me kampusin e studentëve në Tiranë. Në vend se ta ndërtoni me projekte e me të gjitha, e merrni dhe ia jepni dhe i lini studentët për të shkuar në universitetet e botës se nuk përballojnë dot qiranë. PISA, që është vlerësimi më serioz i sistemit parauniversitar, për herë të parë detyrohet për Shqipërinë të vendosë asterikse dhe të thotë nuk zbatuan kriteret e kërkuara për zbatimin e saj”, tha më tej Berisha.

Ai shtoi se vendosja e pragut të notës mesatare për pranimet universitare penalizon maturantët jashtë Tiranës, duke e bërë të pamundur hyrjen në universitet për një pjesë të madhe të gjimnazistëve në rrethe.

Sipas Berishës, numri i studentëve është përgjysmuar ndër vite, ndërsa përqindja e qytetarëve me arsim të lartë, pasi nisi të rritej, ka shënuar rënie të ndjeshme, duke goditur, siç u shpreh ai, misionin e arsimit si mjet për uljen e varfërisë.

/rtsh.al/

Teilen: