Një defekt në rrjetin elektrik ka lënë pa energji elektrike mijëra banorë dhe dhjetëra biznese në disa njësi administrative të Lezhës, që prej orës 10:00 të paradites së sotme.
Ndër fshatrat më të prekura janë Kolshi, Manati, Treshi, Spiteni, Markatomaj, Zejmeni, Gajushi dhe Pllana, ku furnizimi me energji elektrike është ndërprerë për orë të tëra, duke shkaktuar vështirësi në jetën e përditshme të banorëve dhe në aktivitetin e bizneseve lokale.
Mungesa e energjisë ka sjellë probleme të shumta për familjet, ndërsa bizneset raportojnë vështirësi në vijimin normal të punës dhe ofrimin e shërbimeve për klientët.
Sipas informacionit të bërë me dije nga OSHEE, shkak i situatës është një defekt i regjistruar në rrjetin elektrik. Grupet e punës janë angazhuar për identifikimin dhe riparimin e avarisë, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji.
Megjithatë, deri në këto momente energjia elektrike nuk është rikthyer në zonat e prekura, ndërsa banorët presin zgjidhjen e problemit dhe normalizimin e shërbimit.
Autoritetet nuk kanë bërë ende të ditur një afat konkret për përfundimin e ndërhyrjes dhe rikthimin e plotë të furnizimit me energji në të gjitha fshatrat e prekura.
/rtsh.al/