AC Milan rikthehet të premten në mbrëmje në aksion në Serie A, teksa pret Venezian në “San Siro” në ndeshjen e parë të sezonit para tifozëve të tij.
Kuqezinjtë e nisën sezonin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke mposhtur Torinon me rezultatin 2-1 në transfertë. Kjo ishte edhe ndeshja e parë zyrtare e trajnerit Ruben Amorim në krye të skuadrës.
Pas suksesit në Torino, Milani tashmë përgatitet për sfidën e radhës, ndërsa një lajm pozitiv vjen nga gjendja e Christian Pulisic, përjell ORAinfo.

Pulisic mund të debutojë ndaj Venezias
Sipas raportimeve të La Gazzetta dello Sport, Pulisic është rikuperuar dhe është pranë rikthimit në fushë. Amerikani nuk luajti në ndeshjen ndaj Torinos, pasi ishte rikthyer vetëm javën e kaluar në stërvitje me grupin.
Pulisic pësoi një dëmtim gjatë ndeshjes së fundit të tij me kombëtaren e Shteteve të Bashkuara në Botëror, gjë që ndikoi edhe në përgatitjet e tij gjatë verës.
Megjithatë, puna intensive në Milanello ka bërë që 27-vjeçari të përparojë me shpejtësi. Ai u përfshi në skuadrën për transfertën ndaj Torinos, edhe pse nuk kishte zhvilluar asnjë minutë në miqësoret e para-sezonit.
Tashmë, debutimi i tij për këtë sezon mund të vijë të premten në mbrëmje ndaj Venezias.
Pulisic ka një rekord pozitiv ndaj këtij kundërshtari, pasi në dy përballje të mëparshme ka shënuar nga një gol në secilën ndeshje.
Ndërkohë, te Milani ka edhe një largim të konfirmuar. Christopher Nkunku është larguar zyrtarisht në drejtim të Leipzigut, në formën e huazimit me opsion blerjeje.
Për Milanin, sfida ndaj Venezias pritet të jetë një tjetër mundësi për të konfirmuar startin pozitiv të sezonit dhe, potencialisht, për të parë sërish në fushë një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës, Christian Pulisic. /ORAinfo/