Paratë nuk zbresin në fushë. Edhe pse shpesh ndihmojnë të fitosh. Nëse ndalemi në teorinë e pastër, më shumë shpenzime mundësojnë lojtarë më të mirë dhe, për rrjedhojë, arritje rezultatesh. Me këtë logjikë, Milani i sotëm, i treti për nga paga në Serinë A, duhet të ishte në një vend disi më të lartë sesa ai i tetë në kampionat. Borderoja prej 96,6 milionë eurosh nuk po justifikon ende pozicionimin në Serinë A.
Ndeshjet e mira nuk kanë munduar si në Itali ashtu edhe në Champions, por drejtuesit, e sidomos pronarët, me siguri që prisnin diçka më tepër nga organika nën urdhrat e Paulo Fonsekës.
RENDITJA – Pa dyshim jashtë parametrit. Përpara Milanit ka skuadra si Atalanta, Napoli, Lacio, Fiorentina dhe madje edhe Bolonja që shpenzojnë më pak, në disa raste shumë më pak se kuqezinjtë. Do të ishte e lehtë të drejtosh gishtin te Paulo Fonseka, njeriu që nuk po e bën skuadrën të performojë në proporcion me atë që i kushton klubit. Edhe pse duhet nënvizuar se trajneri portugez nuk është në katërshen e më të paguarve në Itali (Inzagi dhe Konte fitojnë më shumë se dyfishin e asaj që ai merr, por edhe Mota dhe Gasperini kanë një pagë më të lartë).
Shkurtimisht, nëse teorema “vlen aq sa kushton” do të ishte gjithmonë e saktë, natyrshëm lind pyetja pse Milani ka një trajner me pagë më të ulët se kolegët e emrave të tjerë të mëdhenj. Përgjigja? Përtej konsideratave teknike (Ibrahimoviç shpesh ka përsëritur se zgjedhja e Fonsekës ka të bëjë para së gjithash me fushën), nuk duhet harruar se kur u zgjodh luzitani, kuqezinjtë kishin ende Piolin në listën e tyre të pagave. Ashtu si Origi (4 milionë neto në vit) dhe Balo-Ture, zyrtarisht jashtë skuadrës, por ende në bordero.
ANOMALI PO, POR.. – Me pak fjalë, është mirë të pyesim se si shpenzohen paratë. Historia e Serisë A, edhe në dy-tri vitet e fundit, është e mbushur me raste të veçanta. Për të thënë, nëse vetëm pagat do të dilnin në fushë, Atalanta (dhe tani Bolonja) nuk do të duhej të luante kurrë në Ligën e Kampioneve, Napoli i Spaletit dhe Milani i Piolit nuk do të kishin fituar kurrë titullin dhe Juve do të ishte pronare e kampionatit edhe në sezonet e fundit, si në nëntë të mëparshmet.
Megjithatë, futbolli nuk funksionon kështu. Planifikimi, strategjia, qetësia dhe ndjenjat janë faktorë që ndikojnë në ekipe të paktën po aq sa talenti dhe taktikat. Dhe duket qartë se ka diçka që nuk shkon në Milanin aktual.
Përgatiti: REINOLD BAKALLI – PANORAMASPORT.AL