I gjithë futbolli botëror vajton sot ndarjen nga jeta të legjendës Franc Bekenbauer, një futbollist, trajner e drejtues i jashtëzakonshëm që ka treguar veten në fushën e lojës dhe jashtë saj. Por mbi të gjitha vajton klubi i Bajern Mynih, ku ai ishte një nga simbolet më dalluese.
“Bota e FC Bajern nuk është më e njëjta. Në mënyrë të papritur është më e errët, më e heshtur, më e varfër. Rekordmenët gjermanë qajnë Franc Bekenbauer, të vetmin “Kajzer”, pa të cilin Bajerni nuk do të ishte bërë kurrë klubi që është sot”, ishte postimi emocionues i klubit gjerman në rrjetet sociale, duke kujtuar Bekenbauer.
Die Welt des FC Bayern ist nicht mehr die, die sie mal war – plötzlich dunkler, stiller, ärmer: Der deutsche Rekordmeister trauert um Franz Beckenbauer, den einzigartigen „Kaiser“, ohne den der FC Bayern niemals zu dem Verein geworden wäre, der er heute ist.
Ruhe in Frieden.
— FC Bayern München (@FCBayern) January 8, 2024
Nëpërmjet faqes së klubit, atë e ka kujtuar edhe një nga emrat që i ka qëndruar më shumë vite afër Bekenbauerit, si lojtar e më pas si pjesë e Bajernit, Karl-Hainz Rumenige.
“Jam thellësisht i tronditur. Franc Bekenbauer ka shkruar historinë e futbollit gjerman dhe ka lënë një shenjë që nuk do të fshihet kurrë. Ai ishte kapiteni im te Bajerni, trajneri im në Kombëtare, presidenti ynë te Bajerni dhe në të gjithë këto role jo vetëm ka pasur sukses, por ishte unik.
Si personalitet të bënte përshtypje me respektin e tij të madh për të gjithë njerëzit, pasi para Francit të gjithë ishin të barabartë. Futbolli gjerman humb personalitetin më të madh të historisë së tij. Do të na mungojë në mënyrë të dhimbshme. Faleminderit për gjithçka i dashur Franc”, ishin fjalët e Rumeniges.
PANORAMASPORT.AL