Kombëtarja e vajzave është rikthyer në stërvitje pasditen e sotme në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, duke vijuar përgatitjet për ndeshjen e fundit të kualifikueseve të Kupës së Botës 2027 ndaj Malit të Zi.
Nën drejtimin e trajnerit Armir Grima dhe stafit teknik, skuadra zhvilloi një seancë me intensitet të lartë, e fokusuar si në aspektin fizik ashtu edhe në atë taktik. Pas ushtrimeve të para aktivizuese, grupi punoi mbi organizimin në fushë dhe skemat taktike në funksion të sfidës së radhës.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se portierja Antigoni Hyska zhvilloi një program të diferencuar stërvitor për shkak të një shqetësimi në gju.
Vajzat kuqezi do të zhvillojnë nesër seancën zyrtare stërvitore përpara përballjes me Malin e Zi, një ndeshje që mbyll fushatën kualifikuese për Botërorin 2027. Takimi do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi”, duke nisur nga ora 19:00. Hyrja për tifozët do të jetë falas, ndërsa ndeshja do të transmetohet drejtpërdrejt në FSHF TV.