Thursday, 25. June 2026
Sport

Brazili e mbyll me fitore fazën e grupeve, Vinícius shkëlqen ndaj Skocisë

GS 25/06/2026 2 Min. Lesezeit

Brazili ka siguruar vendin e parë në Grupin C të Kupës së Botës 2026, pasi mposhti Skocinë me rezultat 3:0 në ndeshjen e zhvilluar në Majami.

Ylli brazilian, Vinícius Júnior, ishte protagonisti kryesor i takimit, duke realizuar dy gola dhe duke udhëhequr “Seleçaon” drejt fazës së eliminimit direkt. Sulmuesi i Brazilit shënoi fillimisht në minutën e 7-të, ndërsa golin e dytë e realizoi pak para përfundimit të pjesës së parë. Golin e tretë për Brazilin e shënoi Matheus Cunha.

Me këto dy realizime, Vinícius ka arritur në katër gola në këtë Botëror, duke u barazuar me Erling Haalandin e Norvegjisë dhe Kylian Mbappen e Francës, ndërsa vetëm Lionel Messi ka shënuar më shumë deri tani.

Brazili e mbylli fazën e grupeve me një paraqitje bindëse, pasi pas barazimit 1:1 ndaj Marokut në ndeshjen hapëse, regjistroi dy fitore radhazi, 3:0 ndaj Haitit dhe 3:0 ndaj Skocisë. Trajneri Carlo Ancelotti u shpreh i kënaqur me progresin e ekipit, duke theksuar se objektivi kryesor mbetet fitimi i trofeut.

Një moment i veçantë i ndeshjes ishte rikthimi i Neymarit, i cili debutoi në këtë Botëror pasi u aktivizua në minutën e 76-të. Sulmuesi 34-vjeçar kishte munguar në dy ndeshjet e para për shkak të një lëndimi në pulpën e këmbës së djathtë.

Në anën tjetër, Skocia e mbylli aventurën në fazën e grupeve. Skuadra britanike, që po merr pjesë në Kupën e Botës për herë të parë që nga viti 1998, nuk arriti të sigurojë kualifikimin në fazën tjetër.

Nga Grupi C, së bashku me Brazilin, në fazën e 1/16-ës është kualifikuar edhe Maroku, që në ndeshjen tjetër të grupit mposhti Haitin me rezultat 4:2.

Teilen: