Bunjamin Rexhepi është fitues i garës së parë në disiplinën drift, e vlefshme për Kampionatin e Kosovës, e cila u mbajt të shtunën në parkingun e Viva Fresh, në Veternik.
Bunjamini me BMW pati paraqitje të shkëlqyeshme dhe garën e përfundoi me 100 pikë.
“Ishte garë mjaft cilësore, me organizim dhe mikpritje shumë të mirë. Ajo që na penalizoi pak ishte pista, pasi është pak e shkurtë, por gjithsesi patëm një garë të mirë, e kënaqësia është edhe më e madhe kur garon në vendin tënd”, ka thënë Rexhepi pas fitores, i cili ka ardhur nga Zvicra enkas për këtë garë.
Fantastik në pistë ishte edhe Odeas Kuqi, i cili u rendit i dyti me 97 pikë, ndërsa i treti doli Fidan Kalluadra me 95 pikë.
Pas tyre u renditën Erlon Hysa, Irgys Cela, Ersen Kurti, Arbër Bela, Eron Dema, Fatlum Musliu, Endrit Ramuka, Klodian Rusi, Çlirim Bajraktari e Tauland Koka.
Të dielën mbahet gara e dytë. Nga ora 11:00 fillon paraqitja në garë, ushtrimet në orën 14:00, ndërsa pas tyre nis gara zyrtare.