Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka kërkuar mbështetje për rritjen e investimeve në teknologji dhe pajisje teknike, duke veçuar vënien në funksion të atelies së RTSH-së në kompleksin e ish-Kinostudios.
Gjatë fjalës së saj në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, në kuadër të diskutimeve për projektbuxhetin e vitit 2027, Vasili theksoi se aktualisht 85% e programacionit të RTSH-së realizohet në vetëm një studio televizive, një situatë që sipas saj e vështirëson vijimësinë e punës dhe prodhimin televiziv.
Ajo shpjegoi se atelia është një godinë në pronësi të RTSH-së, në kompleksin e ish-Kinostudios, e cila aktualisht nuk është e pajisur për transmetime televizive dhe ka nevojë për investime për t’u kthyer në një studio funksionale.
Sipas Vasilit, synimi është që kjo hapësirë të shndërrohet në studion kryesore të RTSH-së, ku të prodhohen spektaklet dhe emisionet më të rëndësishme të transmetuesit publik.
“Këto janë zëra kryesore që ne kërkojmë shtesë buxhetore, në zërin e investimeve në teknologji unë do të veçoja sidomos vënien në punë të atelies dhe furnizimin me pajisje teknike. Dua të shpjegoj me dy fjalë se çfarë është. Atelie është një studio e madhe në pronësi të RTSH në kompleksin e ish Kinostudios dhe tani është vetëm si godinë fizike dhe ka nevojë të kthehet në një studio transmetimi për RTSh. Dua të evidentojë para komisionit se RTSh 85% të propgrammacionit të saj e realizon vetëm në një studio televizive dhe është praktikisht e pamundur të ndodh në vazhdimësi kjo. Programet e RTSh kanë nevojë të kenë një shtëpi të tyre dhe kjo atelie duhet të kthehet në studion kryesore të RTSh e cila aty synon të prodhojë programacionet e saj kryesore që ka të bëjë me spektaklet dhe emisionet më të rëndësishme. Do të kërkoja ndihmën tuaj për realizimin këtij investimi’, u shpreh Vasili.