Monday, 9. November 2026
Sport

Drejtoresha e RTSH, Vasili: Kemi objektiv të realizojmë një serial për figurat kombëtare shqiptare

GS 09/11/2026 2 Min. Lesezeit

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH), Eni Vasili, ka theksuar nevojën për financim shtesë për realizimin e projekteve të rëndësishme të institucionit, duke i cilësuar kërkesat buxhetore si urgjente.

Gjatë seancës dëgjimore në Komisionin për Nismat Qytetare, në kuadër të diskutimeve për “Buxhetin 2027”, Vasili u ndal te investimet për diasporën, zhvillimin teknologjik dhe realizimin e një seriali televiziv kushtuar figurave kombëtare shqiptare.

Ajo theksoi se RTSH nuk mund të heqë dorë nga këto projekte, duke nënvizuar se realizimi i një seriali të tillë ka qenë prej vitesh një objektiv i institucionit.

“Kërkesat që kemi janë urgjente. A do të hiqja dot dorë nga investimi për diasporën, nga investimet në teknologji, nga realizimi i një seriali që RTSH e ka gati një 10-vjeçar që nuk e realizon, një serial televiziv? Ne e kemi ëndërr, e kemi objektiv të realizojmë një serial për figurat kombëtare shqiptare”, deklaroi Vasili.

Drejtoresha e Përgjithshme bëri të ditur se RTSH është në negociata me organizata të ndryshme për këto projekte, por theksoi se bëhet fjalë për iniciativa me rëndësi kombëtare, të cilat kërkojnë financim si nga buxheti i institucionit, ashtu edhe nga buxheti i shtetit.

“Jemi në negociata me organizatat tuaja, por këto janë projekte kombëtare që kërkojnë financim nga buxheti i RTSH-së dhe buxheti i shtetit. Nëse do të më pyesni nëse do të hiqja dorë nga këto projekte? Sigurisht që jo”, u shpreh Eni Vasili.

/rtsh.al/

Teilen: