Numri 1 i RedBird do të jetë në “San Siro” për sfidën Champions kundër Cagliari-t. Të hënën do të dizenjojë skuadrën e sezonit të ri, me Max-in në qendër të projektit. Për sulmin sytë janë te Gonçalo Ramos, Guirassy, Jackson dhe Sorloth.
Pronari i klubit kuqezi, Gerry Cardinale, do të ndjekë nga afër Milan-Cagliari, vetëm ndonjë e papritur mund ta ndryshojë programin e tij. Të dielën ai shpreson të festojë kualifikimin në Champions League, para se të kthejë faqe dhe të skicojë Milanin e sezonit 2026-27. Duke nisur nga konfirmimi i Allegri-t dhe ndonjë ndryshim në organigramën drejtuesve.
Me një vend në 4-shen e parë aktivizohet automatikisht një vit më shumë në kontratën e trajnerit livornez. Cardinale do që trajneri të mos ketë dyshime mbi qëndrimin në Milanello, sepse e ka në qendër të projektit. Me të në stol kuqezinjtë kaluan nga vendi i 8-të sezonin e kaluar tek i 3-ti, kur kanë mbetur edhe 90 minuta për t’u luajtur.
Me siguri Allegri do të kërkojë nga Cardinale një merkato, që do ta lejojë Milanin të përballojë impenjimin e dyfishtë të sezonit të ardhshëm. Duhet më shumë kualitet dhe lidership në skuadër. “Dhurata” e parë do të vijë shpejt me firmën e gjermanit Leon Goretzka. Mesfushori në dalje nga Bajerni me parametra zero po pret që kuqezinjtë të sigurojnë Champions-in. Ka folur me trajnerin dhe drejtuesit dhe është i bindur për të zbarkuar në Serinë A.
Për sulmin pastaj janë disa emra në listë. Ata janë Gonçalo Ramos i PSG-së, Guirassy i Borussia Dortmund, Jackson dhe Sorloth. Është edhe Vlahovic, për të cilin duhen pritur më parë lëvizjet e Juventusit.
Sulmi ka ndryshime edhe në dalje, me Leaon që duket se e ka mbyllur ciklin si kuqezi. E kërkojnë Fenerbahçe në Turqi dhe Manchester United në Angli.
Cardinale do të qëndrojë në Milano edhe të hënën, sepse duhet të vendosë edhe për pjesën e drejtuesve. Ai ka takuar në Londër javën e kaluar konsulentët Calvelli dhe Ibrahimovic, si dhe administratorin Furlani.
Trajneri Allegri sheh me sy të mirë qëndrimin e Igli Tares, të cilin e lavdëroi në konferencën për shtyp të shtunën. Një vlerësim për drejtuesin shqiptar, që mund të jetë shumë i rëndësishëm. Një rol te Milani mund të ketë edhe Adriano Galliani.