Do të luhet nesër në orën 20:15 ndeshja e kthimit mes Celjes dhe Egnatias, që do të vendosë se kush nga dy skuadrat do të kualifikohet në turin e tretë kualifikues të Champions League. Sfida e parë në Rrogozhinë përfundoi në barazim 3-3, duke lënë të hapur kualifikimin.
Trajneri portugez i kampionëve të Sllovenisë, Vitor Campelos, ka folur për mediat në një konferencë për shtyp në prag të ndeshjes vendimtare kundër Egnatias.
“Kemi besim, duhet të jemi të tillë, edhe pse në futboll nuk ka ndeshje të lehta. Të shënosh tre gola në transfertë në Europë nuk është pak, por njëkohësisht duhet të korrigjojmë ato gjëra nga ndeshja e parë që çuan në pësimin e tre golave.
Për ndeshje të tilla duhet të kesh karakter. Jam i bindur se nesër do të jemi në nivelin e duhur në fushë dhe do të kualifikohemi për në raundin tjetër, pasi jemi të gjithë të vetëdijshëm për atë që mund të sjellë kjo ndeshje. Duam ta vazhdojmë rrugëtimin tonë në kualifikueset e Ligës së Kampionëve.
Gjatë javës që pasoi ndeshjen e parë, jemi përqendruar te shumë aspekte që mund dhe duhet të përmirësohen, që nga pasimet e gjata të Egnatias e deri te ndërhyrjet për të ndalur topin, të cilat janë arma e tyre kryesore. Tani e njohim edhe më mirë kundërshtarin dhe jemi të përgatitur për t’u përballur me të në të gjitha aspektet e lojës”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Celjes.