Në Kupën e Botës të futbollit janë regjistruar një numër rekord prej 1.248 futbollistësh nga 449 klube dhe nga 71 shtete.
Më së shumti përfaqësues ka Manchester City me 19 lojtarë. Pas tij vjen Bayerni me 18 më pas Arsenali dhe PSG me nga 16 lojtarë, si dhe Barcelona me 15.
Numri më i madh i tyre luajnë në klubet angleze me 205 lojtarë. Në Gjermani luajnë 108 futbollistë që do të marrin pjesë në Kupën e Botës, ndërsa 86 luajnë në Francë dhe Spanjë. Pas tyre vijnë Italia me 71, Arabia Saudite 48, SHBA gjithashtu 48.
Ndërkohë, Katari dhe Arabia Saudite kanë ftuar nga 25 prej 26 lojtarëve nga klubet vendase, ndërsa Kepi i Gjelbër, RD Kongo, Bregu i Fildishtë, Curaçao, Senegali dhe Uruguai kanë skuadra pa asnjë lojtar nga kampionatet vendase.
Lojtari më i vjetër në Botëror do të jetë portieri skocez Craig Gordon me 43 vjet e 162 ditë, ndërsa më i riu do të jetë meksikani Gilberto Mora me 17 vjet e 240 ditë.
Trajneri më i vjetër do të jetë holandezi Advocaat, i cili drejton Curaçaon, me 78 vjet e 257 ditë, ndërsa më i riu është gjermani Julian Nagelsmann me 38 vjet e 323 ditë.
Për argjentinasin Lionel Messi, portugezin Cristiano Ronaldo dhe meksikanin Guillermo Ochoa, ky do të jetë Botërori i gjashtë rekord.