Monday, 9. November 2026
Sport

Digjitalizimi i arkivit, Vasili: Projekti do të zgjasë 5 vite. Do të jetë i aksesueshëm për publikun

GS 09/11/2026 3 Min. Lesezeit

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, ka bërë të ditur në Komisionin e Medias se Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AADF) do të financojë dhe realizojë digjitalizimin e arkivës së RTSH-së. Gjatë diskutimit për projektbuxhetin e institucionit, Vasili shpjegoi se bashkëpunimi me Fondin ka zgjatur prej më shumë se shtatë muajsh dhe se vendimi për financimin është marrë pas një studimi të kryer mbi arkivin.

Ajo bëri të ditur se aktualisht palët ndodhen në fazën e përgatitjes së kontratës, e cila do të përcaktojë më qartë hapat që do të ndërmerren. Sipas Vasilit, AADF ka marrë përsipër jo vetëm financimin, por edhe menaxhimin e të gjithë procesit, duke e cilësuar këtë projekt si një dhuratë për televizionin publik.

“Ne kemi qenë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit për më tepër se 7-8 muaj në kontakt të drejtpërdrejtë. Ata kanë bërë një studim për arkivin. Bordi i tyre ka vendosur të financojë dhe realizojë digjitalizimin e arkivit pas këtij studimi që ata bënë dhe disa hapa kanë marrë përsipër t’i realizojnë brenda fondit të financimit. Jemi në fazën e realizimit të kontratës me Fondin, çka do të bëjë që ne të kemi një ide më të qartë se në cilat pika do të mbërrijmë me Fondin. I gjithë fondi menaxhohet nga ata, gjithë procesi menaxhohet nga ata. Është si një lloj dhurate që do t’i bëhet RTSH-së ky digjitalizim”, u shpreh Vasili.

Drejtoresha e RTSH-së vlerësoi partneritetin me AADF-në, duke e cilësuar Fondin si një nga institucionet më serioze në Shqipëri, që i çon projektet e tij deri në fund. Ajo theksoi se një nga çështjet kryesore të diskutimit mes dy palëve ka qenë mënyra se si arkivi do të mund të shfrytëzohet pas digjitalizimit, si nga studiuesit, ashtu edhe nga publiku i gjerë.

Synimi, sipas saj, është që arkivi të jetë sa më i hapur, transparent dhe i aksesueshëm, një aspekt që do të garantohet që në kontratën e parë me Fondin Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Vasili sqaroi se projekti do të zbatohet përmes një plani pesëvjeçar dhe do të kërkojë kohën e nevojshme për realizimin e tij. Nëse gjatë procesit do të evidentohen nevoja për financime shtesë, RTSH do t’i drejtohet Kuvendit. Megjithatë, ajo nënvizoi se pjesa kryesore e projektit tashmë është marrë përsipër nga AADF-ja, të cilën e cilësoi si një institucion serioz dhe prestigjioz.

Teilen: