Trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç, foli për mediat në prag të ndeshjes kundër Dinamos, që do të luhet nesër në orën 18:30 në “Elbasan Arena” dhe do të transmetohet në RTSH. Tekniku i verdhebluve vlerëson kundërshtarin, por deklaron se skuadra e tij do të kërkojë tre pikët në sfidën e nesërme.
“Do të jetë një ndeshje derbi, një ndeshje shumë e bukur. Përballë kemi një kundërshtar si Dinamo, një skuadër shumë e mirë, të cilën e respektojmë. Por ne jemi Elbasani dhe si gjithmonë do të provojmë të bëjmë maksimumin dhe do të synojmë të fitojmë ndeshjen.
Sigurisht që kemi presion, jo vetëm ne por çdo skuadër besoj. Kampionati është shumë i fortë dhe të gjitha skuadrat kanë nevojë për pikë. Edhe ne kemi presionin e pikëve, e tillë është situata.
Kemi krijuar shumë raste për gol në dy ndeshjet e para, por nuk kemi shënuar shumë. Nesër mendoj se do të kemi më shumë qetësi para portës, duhet të jemi më cinikë dhe të kemi më shumë fat.
Merkato? Mendoj që jemi në rregull. Kjo është situata mendoj që jemi në rregull deri në janar”, ka thënë mes të tjerash Gvozdenoviç.