Dinamo ishte shumë afër fitores në ndeshjen e parë të Play-off-it të Conference League kundër qipriotëve të Pafos, që përfundoi 1-1. Blutë bënë një ndeshje të mirë, me raste për shënim dhe kaluan të parët në avantazh, por u barazuan me penallti.
Kualifikimi në letër mbetet i hapur, por duhet theksuar se vështirësitë për trajnerin Ilir Daja janë shtuar. Ai nuk do të ketë të gatshëm në ndeshjen e kthimit 3 lojtarë të rëndësishëm. Kapiteni Bruno Dita, Lorenco Vila dhe Isi Manellari janë skualifikuar me kartonin e verdhë që morën dje në Elbasan.
Janë mungesa që prekin të tre repartet dhe trajneri Daja duhet të ribëjë formacionin. Më shumë rëndon mungesa e Ditës, pasi Dinamo nuk ka shumë alternativa për qendrën e mbrojtjes. Me shumë mundësi, me Alijin do të luajë Hoxhallari, një mbrojtës i majtë që bën edhe qendërmbrojtësin.
Vila gjithashtu është një mungesë e rëndësishme. Durrsaku që ka shënuar dy gola deri tani në Europë është një lojtar shumë voluminoz dhe trajneri Daja duhet të shohë për zgjidhjen më të mirë. Manellari, titullar në shumicën e ndeshjeve, dy sfidat e fundit i ka nisur nga stoli. Alhassan dhe Fadairo mund të jenë dy alternativa për të zënë vend në formacion në Qipro.