lli i ri i Barcelonës, Lamine Yamal, nuk ka humbur kohë për ta ndezur edhe më shumë rivalitetin me Real Madridin, duke i dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë bashkëlojtarit të tij te kombëtarja e Spanjës, Marc Cucurella.
Pas transferimit të bujshëm të mbrojtësit në “Bernabeu” gjatë Kupës së Botës 2026, 18-vjeçari ka lëshuar një paralajmërim me tone shakaje për atë që e pret në El Clasico.
Yamal tashmë mezi pret të përballet me Cucurellan sezonin e ardhshëm. Ish-produkti i akademisë së Barcelonës së fundmi u transferua nga Chelsea te Real Madridi, duke i dhënë fund një qëndrimi katërvjeçar te klubi londinez.
Marrëveshja u realizua për 47.5 milionë funte plus 4 milionë funte bonuse, ndërsa ai firmosi një kontratë gjashtëvjeçare.
Ky transferim bën që dy bashkëlojtarët e Spanjës të përballen në të njëjtin krah gjatë sezonit të ardhshëm.
Duke folur për “COPE” nga grumbullimi i Spanjës në Kupën e Botës, Yamal zbuloi se tashmë ka nisur ngacmimet miqësore me mbrojtësin 27-vjeçar.
Anësori i Barcelonës bëri edhe shaka për hierarkinë në “Bernabeu” pas transferimit të Cucurellas.
Teksa Spanja përgatitet për ndeshjen e fazës së 1/16 së finales kundër Austrisë të enjten, Yamal tha: “I thashë se do ta nisë titullar ndeshjen e parë dhe në të dytën do të jetë zëvendësues, sepse do ta ha të gjallë!”.
Nuk është hera e parë që Yamal përplaset me lojtarë të Real Madridit.
Gjatë sezonit 2025/26, ai pati një përballje të ashpër në fushë me mbrojtësin veteran Dani Carvajal, pavarësisht se të dy kishin fituar së bashku Euro 2024 me Spanjën.
Incidenti erdhi pasi Yamal kishte thumbuar publikisht Real Madridin në një intervistë, duke sugjeruar se klubi “ankohet” dhe “vjedh” kur bëhet fjalë për vendimet e arbitrave.
Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes që Real Madridi fitoi, Carvajal iu afrua Yamalit dhe, sipas raportimeve, i tha: “Flet shumë. Tani fol”.
Kur u pyet për komentet e tij të mëparshme dhe nëse ishte penduar për tensionin e krijuar, Yamal mbeti i palëkundur.
“Jo, është futboll. Në fund, ata e fituan atë ndeshje, por humbën në stadiumin tonë. Nuk kam folur me Carvajalin që atëherë dhe nuk flas me askënd nga Real Madridi,” deklaroi ai.
Përveç rivalitetit me Real Madridin, Yamal po ndjek nga afër edhe lëvizjet e Barcelonës në merkato.
Pas largimit të Robert Lewandowskit, ai ka folur hapur për llojin e sulmuesit që dëshiron të shohë në “Camp Nou” këtë verë, duke shprehur dëshirën për të luajtur përkrah bashkëlojtarit të tij te Spanja, Mikel Oyarzabal.
Sulmuesi vjen pas një sezoni të shkëlqyer me Real Sociedadin, të cilin e udhëhoqi drejt fitimit të Kupës së Mbretit, duke realizuar 18 gola dhe katër asistime gjatë sezonit 2025/26.
Oyarzabal e ka vazhduar këtë formë të mirë edhe në Kupën e Botës, ku spikati veçanërisht me dy golat e shënuar kundër Arabisë Saudite.
Yamal shtoi se është një admirues i madh i Oyarzabalit dhe se vlerëson shumë edhe cilësitë e Julian Alvarezit.
Megjithatë, ai theksoi se vendimet për transferimet i takojnë drejtuesve të klubit.
“Por kjo është puna e Decos dhe ai po e bën shumë mirë. Ne do ta mbështesim këdo që vjen dhe do të jemi shumë të lumtur ta kemi me ne,” përfundoi Yamal.