Më herët gjatë kësaj jave, raportime të ndryshme sugjeruan se Atlético Madrid do të ishte i gatshëm ta shiste Julian Alvarez te Arsenal në këmbim të Viktor Gyokeres plus një shumë parash.
Megjithatë, legjenda e Arsenalit, Thierry Henry, ka paralajmëruar ish-klubin e tij se humbja e Gyökeres mund t’i kushtojë shtrenjtë, edhe pse Alvarez është një futbollist i jashtëzakonshëm.
“Nëse më pyesni nëse Arsenali duhet ta shkëmbejë Viktor Gyokeres me Julian Alvarez, e kuptoj pse njerëzit po flasin për këtë”, tha Henry.
“Alvarez është një nga sulmuesit më të kompletuar në futbollin botëror sot. Ai mund të ushtrojë presion, të krijojë raste, të shënojë gola, të luajë mes linjave dhe t’i bëjë më të mirë lojtarët përreth tij”.
“E kam thënë edhe më parë se më pëlqen shumë loja e tij, sepse ai mund të bëjë pothuajse gjithçka që kërkohet nga një numër 9 modern”.
“Por futbolli nuk luhet në letër. Gyokeres i jep Arsenalit diçka ndryshe – forcë, prezencë, agresivitet dhe gola. Ai është tipi i sulmuesit që mbrojtësit e urrejnë ta kenë përballë”.
“Nëse po flasim për një shkëmbim të drejtpërdrejtë, do të isha shumë i kujdesshëm, sepse nuk po shkëmben vetëm lojtarë, por po ndryshon identitetin e sulmit tënd”.
Henry shtoi se tifozët do të ishin të entuziazmuar nëse Alvarez do të transferohej në ‘Emirates Stadium’, por ngriti një pyetje të rëndësishme.
“Nëse Arsenali do të përfundonte me Alvarez në skuadër, çdo tifoz do të ishte i emocionuar, sepse ai është një talent i klasit botëror. Por pyetja ime do të ishte: pse të heqësh dorë nga një sulmues që tashmë ka dëshmuar se mund ta udhëheqë repartin ofensiv?”
“Skuadrat e mëdha nuk e zëvendësojnë gjithmonë cilësinë me cilësi; ndonjëherë ato i shtojnë cilësi cilësisë”.
“Për mua, skenari i ëndrrave do të ishte gjetja e një mënyre për t’i pasur të dy lojtarët e këtij niveli në të njëjtën skuadër. Kështu ekipet kampione shndërrohen në dinasti”.
“Nëse do të isha Arteta, do të mendoja gjatë para se ta lija Gyokeres të largohej, edhe për një lojtar aq të veçantë sa Alvarez”, përfundoi ai.