Administrata Doganore Shqiptare ka hartuar “Manualin e Vlerësimit Doganor”, një udhëzues praktik që synon të ndihmojë në zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit për përcaktimin e vlerës së mallrave për qëllime doganore.
Sipas Administratës Doganore, manuali ofron një qasje të unifikuar për zbatimin e rregullave në praktikën e përditshme. Dokumenti përmbledh kuadrin ligjor dhe metodat e vlerësimit doganor, ndërsa përfshin edhe shpjegime, shembuj konkretë, lista kontrolli dhe rekomandime metodologjike.
Një pjesë e manualit i kushtohet analizimit dhe verifikimit të vlerës së deklaruar, dokumentacionit mbështetës dhe elementeve që duhet të merren në konsideratë gjatë procesit të vlerësimit. Gjithashtu, përcaktohen orientime për rastet e veçanta, si dhe për dokumentimin dhe vendimmarrjen administrative.
Qëllimi është që procesi i vlerësimit doganor të jetë më i argumentuar, transparent dhe i mbështetur në të dhëna të verifikueshme.
Manuali synon të shërbejë si instrument pune për strukturat e Administratës Doganore, me fokus në unifikimin e praktikave të vlerësimit, rritjen e transparencës dhe cilësisë së vendimmarrjes, si dhe në trajtimin e barabartë të operatorëve ekonomikë.
Sipas dokumentit, standardizimi i praktikave dhe interpretimi i njëtrajtshëm i rregullave synojnë gjithashtu të rrisin sigurinë juridike në marrëdhëniet mes administratës doganore dhe bizneseve, të shmangin praktikat arbitrare dhe të mbështesin konkurrencën e ndershme.
Manuali është hartuar duke marrë në konsideratë legjislacionin shqiptar, Marrëveshjen e OBT-së për Vlerësimin Doganor, Kodin Doganor të Bashkimit Evropian, si dhe praktikat e Komisionit Evropian dhe Organizatës Botërore të Doganave.
Në këtë kuadër, dokumenti synon të mbështesë edhe përafrimin e praktikave të Administratës Doganore Shqiptare me standardet dhe praktikat evropiane e ndërkombëtare në fushën e vlerësimit doganor.
Administrata Doganore thekson se manuali ka karakter shpjegues dhe orientues, ndërsa baza ligjore për çdo procedurë vijon të jetë Kodi Doganor dhe dispozitat e tij zbatuese.
/rtsh.al/