Realit i Madridit ka bërë detyrën në Ligën e Kampioneve. Rekordmenët e titujve europianë mundën Bragën 1-2, duke arritur kështu suksesin e tretë radhazi dhe tashmë kualifikimi mund të siglohet që në takimin e radhës po kundër ekipit portugez këtë herë në Madrid. Trajnri Ançeloti ka komentuar suksesin ndaj portugezëve pas takimit.
“Kemi bërë një ndeshje relativisht të mirë. Kemi vuajtur jo pak pasi kemi pësuar. Me 0-2 besoj se kishim gjithçka nën kontroll, por goli i tyre na prishi disi planet. Kemi prishur distancat ndërmjet linjave tona dhe kjo na ka vënë në vështirësi. Megjithatë në fund ia dolëm”, nënvizoi ai.
Ançeloti ka komentuar dhe dëmtimin e pësuar nga Bellingam duke qetësuar të gjithë tifozët e Madridit. Aq më shumë që në sfond është Klasikja e futbollit spanjoll ndaj Barcelonës.
“U duk disi i rënduar në fushë, dukej se kishte një shqetësim në kofshë. Por mund të konfirmoj se nuk ka asgjë serioze, thjesht një mbingarkesë. Është mirë dhe nuk do të ketë shqetësime për të qenë kundër Barcelonës”, qetësoi italiani të gjithë madrilenët.
Një lajm pozitiv për Ançelotin pikërisht në kuadër edhe të Klasiken kundër Barçës ka qenë rikthimi te goli i Rodrigos. Braziliani, i cili nuk shënonte që nga java e parë përballë Bilbaos ka gjetur rrjetën në Champions, duke i dhënë fund thatësirës.
“Rodrigo është një lojtar mjaft i talentuar dhe ne duhet ta ndihmojmë në momentet e vështira. Çdo lojtari i ndodh të kalojë momente jo shumë pozitive, por e rëndësishme është forca që ka në vetvete për ta kaluar. Rodrigo po kthehet dalëngadalë në formën më të mirë dhe ky është një lajm pozitiv për Realin”.
Në fund dhe Klasikja: “E kemi të qartë se çfarë duhet të bëjmë. kemi mjaftueshëm ditë për ta përgatitur si duhet. Mbërrijmë plot shpresë në këtë sfidë”.
PANORAMASPORT.AL