Merr një forma cion që luajti ndeshjen e rëndësishme në fazën e 1/8- ave të Champions-it kundër Atletikos, shpëto vetëm 4 prej tyre dhe shtoji 7 lojtarë që kanë luajtur më pak. Në fund të fundit, ky ishte rreziku i vetëm i madh i sfidës kundër Leçes për Interin, në rrotacionin masiv që bëri trajneri. Nga Audero te Asllani, pastaj avancimi i Bisek mes fanellave të Leçes. Pasimi te Sançez dhe asisti i tij fantastik për Fratezin që shënon golin e dytë që vulos ndeshjen.

Kjo është kartolina e një Interi që argëtohet edhe me lojtarët e stolit. Një moment që tregon supremacinë në një kampionat ku komandon me 9 pikë më shumë sesa Juventusi i vendit të dytë dhe mund të shkojë +12 në rast të fitores me Atalantën, sfidë e prapambetur për shkak të Superkupës.
INTERI B- Pa shtatë titullarët, të cilët ishin të dëmtuar apo pushuan për shkak të lodhjes dhe kalendarit të ngjeshur, Interi i Simone Inzagit dominon. Lojtarët e stolit ekzaltohen dhe tregojnë se duhet të luajnë më shumë.
Asllani që vesh petkun e Çalhanoglusë për një pasim fantastik drejt Lautaro Martinezit, Sançez që sjell kualitet, grintë dhe eksperiencë, Fratezi që shënon një tjetër gol dhe asiston.
Në fund janë 10 fitore nga 10 ndeshje në vitin 2024, 66 pikë në 25 ndeshje, 20 transferta radhazi duke gjetur golin. Ndodhi për herë të parë në histori. Kapiteni Lautaro Martinez udhëhoqi ekipin zikaltër duke arritur 101 gola në Serinë A, duke u bërë lojtari i nëntë me kuotë treshifrore.
Kristian Vieri është përpara tij. Lautaro ka arritur të shënojë 22 gola në 23 ndeshje, me objektivin për të arritur kuotën 36, që është rekordi në një sezon.
“Do të provoj, por gjëja më e rëndësishme është që të fitojë Interi. Golat ndihmojnë skuadrën që të marrë pikë’, tha pas Leçes. Një ndeshje që tregoi se sa organikë të pasur ka Inzagi, i cili shpeshherë duket i fiksuar me titullarët e tij. Por mori përgjigje se mund t’ju besojë edhe të tjerëve që ka në stol. Duhen shpërndarë minutat për të shkuar të freskët në periudhën vendimtare të sezonit.
PËRGATITI: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL