Me ndeshjen Malisheva – Llapi, do të hapet xhiro e 15-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Kjo ndeshje luhet të premten nga ora 13:00 në stadiumin “Liman Gegaj” dhe pritet të jetë tejet interesante.
Të dy skuadrat synojnë fitoren, duke pasur parasysh renditjen e tyre në tabelë, me Malishevën që kërkon të mbajë hapin me kreun e tabelës dhe Llapin për t’u larguar nga zona e rënies.
Malisheva është e dyta në tabelë me 30 pikë, pesë më pak se Prishtina që është e para kurse Llapi renditet në pozitën e parafundit me 11 pikë të mbledhura.
Si Malisheva ashtu edhe Llapi në këtë përballje futen pas fitoreve që i regjistruan javën e shkuar.
Malisheva e mposhti 2:1 skuadrën e Dukagjinit derisa Llapi triumfoi me shifrat 4:1 kundër Vushtrrisë.
Në fakt, kjo është edhe njëra prej përballjeve më interesante të kësaj xhiroje në elitën e futbollit kosovar.