Kupa e Botës vazhdon sot me dy përballje interesante të fazës së 1/8 së finales, ku në fushë zbresin Kanadaja, Maroku, Franca dhe Paraguai.
Vëmendja fillimisht do të jetë te dueli mes Kanadasë dhe Marokut, i cili zhvillohet në Houston, Texas. Për kombëtaren kanadeze kjo është një ditë historike, pasi për herë të parë në histori ka arritur të kualifikohet në fazën me eliminim direkt të një Kampionati Botëror, transmeton lajmi.net.
Kanadezët siguruan biletën për në këtë fazë pas një fitoreje dramatike ndaj Afrikës së Jugut, ndërsa tani synojnë të vazhdojnë ëndrrën e tyre përballë Marokut.
Edhe marokenët vijnë me moral të lartë, pasi në raundin paraprak eliminuan Holandën pas ekzekutimit të penalltive, duke konfirmuar se janë një nga skuadrat surprizë të këtij edicioni.
Në mbrëmje, nga ora 23:00, radha do t’i vijë përballjes mes Francës dhe Paraguait në stadiumin Lincoln Financial Field në Philadelphia.
Franca konsiderohet një nga favoritët kryesorë për triumfin në këtë Botëror dhe hyn në këtë sfidë me epërsinë e cilësisë në pothuajse çdo repart. Në qendër të vëmendjes do të jetë Kylian Mbappe, i cili po kalon një formë të jashtëzakonshme. Sulmuesi francez ka realizuar gjashtë gola në fazën e deritanishme të turneut, ndërsa në ndeshjen ndaj Norvegjisë, edhe pse nuk shënoi, kontribuoi me dy asistime.
Nga ana tjetër, Paraguai ka qenë një nga surprizat e këtij Botërori. Amerikano-jugorët siguruan kualifikimin falë paraqitjeve mbresëlënëse, ndërsa veçohet fitorja 1:0 ndaj Turqisë në fazën e grupeve, e arritur edhe pse skuadra luajti me një futbollist më pak gjatë gjithë pjesës së dytë.
Megjithatë, përballja me Francën paraqet sfidën më të madhe deri tani për paraguajanët, të cilët do të tentojnë të shkaktojnë një tjetër befasi.
Orari i ndeshjeve:
- 19:00 – Kanadaja – Maroku
- 23:00 – Franca – Paraguai./lajmi.net/