Një 78-vjeçar është shoqëruar nga forcat e rendit në Komisariatin e Policisë Fier, pasi akuzohet se shkaktoi një vatër zjarri që shkrumboi një sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjellë me ullinj shekullorë në fshatin Gorishovë.
Shtetasi i shoqëruar, i identifikuar me inicialet P. M., po i nënshtrohet veprimeve të mëtejshme hetimore e procedurale nga uniformat blu për përcaktimin e përgjegjësisë ligjore mbi dëmin e shkaktuar.
Zjarri doli nga kontrolli prej erës
Sipas të dhënave të para nga grupi hetimor, 78-vjeçari kishte ndezur zjarr brenda kufijve të pronës së tij me qëllim djegien e mbeturinave. Megjithatë, për shkak të kushteve atmosferike dhe erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi drejt parcelave fqinje, duke përfshirë pemëtishten me ullinj shekullorë.
Menjëherë pas sinjalizimit të ngjarjes, shërbimet e Policisë së Shtetit ndërhynë në terren duke bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e menjëhershëm të shtetasit P. M.
Në vendngjarje ndodhen forcat zjarrfikëse të cilat po vijojnë ndërhyrjen për shuarjen e plotë të vatrës, ndërsa Policia e Fierit po heton rastin për veprën penale të shkatërrimit të pronës me zjarr apo pakujdesi.
/rtsh.al/