Michael Olise mbetet një prej pikëpyetjeve më të mëdha për Bayern Munichun, edhe pse sezoni sapo ka filluar. E ardhmja e anësorit francez mund të rikthehet në qendër të vëmendjes gjatë verës së ardhshme, ndërsa drejtori ekzekutiv i klubit bavarez, Jan-Christian Dreesen, nuk ka dashur të garantojë se lojtari do të vazhdojë karrierën në “Allianz Arena”.
Olise, i cili shkëlqeu me paraqitjet e tij në Kupën e Botës dhe tërhoqi interesimin e disa prej klubeve më të mëdha evropiane, qëndroi te Bayerni gjatë afatit të fundit kalimtar.
Klubi gjerman nuk ishte i gatshëm të dëgjonte oferta për një prej lojtarëve të tij më të rëndësishëm, por tashmë vetë drejtuesit e Bayern janë të vetëdijshëm se situata mund të ndryshojë në të ardhmen.
Dreesen i ka hedhur poshtë raportimet se Bayerni kishte marrë dhjetëra oferta për francezin gjatë kësaj vere.
“Ishte absurde të thoshim se kishim dhjetëra oferta në tavolinë këtë verë. Kjo thjesht nuk ishte e vërtetë”, deklaroi ai në programin “Doppelpass”, duke iu referuar edhe interesimit të raportuar nga Real Madridi dhe klube të tjera evropiane.
Megjithatë, kur u pyet për të ardhmen e Olises, Dreesen nuk dha një përgjigje që do t’i qetësonte plotësisht tifozët e Bayernit.
Kontrata e francezit me klubin skadon në vitin 2029, por drejtori ekzekutiv pranoi se në futboll është e vështirë të bëhen premtime afatgjata. “Të bësh premtime në këtë biznes është një çështje delikate”, tha ai.
Dreesen është i bindur se çështja e Olises do të rikthehet në diskutim verën e ardhshme.
“Verën e ardhshme, do të diskutojmë përsëri nëse mund ta mbajmë përgjithmonë”, deklaroi ai.
Meqë kontrata e francezit nuk përmban një klauzolë lirimi, çdo vendim për të ardhmen e tij do të kërkojë negociata direkte me Bayernin.
Në klub, ndërkohë, duket se ka edhe një tjetër shqetësim. Sipas “Sport1”, drejtuesit e Bayernit e konsiderojnë qëndrimin e Olises, si në publik ashtu edhe në komunikimin e brendshëm, një mister. Ata nuk e dinë nëse lojtari do të kërkojë një kontratë të re apo, përkundrazi, do t’u kërkojë të negociojnë largimin e tij drejt një tjetër klubi.