Garet Sauthgejt i ka dhënë lamtumirën përfaqësueses së Anglisë dhe tashmë kë nisur kërkimi i ethshëm për një pasardhës të tij që të mund të drejtojë këtë përfaqësuese duke e ndihmuar që të bëjë hapin cilësor, ku edhe loja të shoqërojë rezultatet e mundësisht të sigurojë ndonjë trofe.
Sipas gazetës britanike “The Independent”, në listën e dëshirave të Federatës Angleze është Pep Guardiola, por ka një pengesë për momentin që është ajo e kontratës së tij me Mançester Sitin deri në verën e vitit 2025 dhe ai nuk ka ndër mend ta prishë atë.
Sipas këtyre burimeve, Federata Angleze shpreson që të tundojë Guardiolën duke pritur deri në fundin e kësaj kontrate, pasi do të emërojë përkohësisht Li Karsli si trajner, duke e ngritur në detyrë nga drejtimi i ekipit U21.
Guardiola ka shprehur hapur dëshirën që të drejtojë një ekip kombëtar në të ardhmen dhe Anglia do të ishte një zgjedhje ideale për të, pasi njeh thuajse të gjithë futbollistët për shkak të punës në kampionatin anglez në vitet e fundit me Sitin.
“Unë do të dëshiroja shumë të drejtoja një ekip kombëtar në një Botëror apo në një Europian. Nuk e di kur do të ndodhë, nëse pas 5, 10 apo 15 vitesh, por unë do të dëshiroja shumë të kisha këtë eksperiencë si një trajner në një Kupë Bote”, tha në fillim të këtij viti në një intervistë Guardiola. Nëse pret deri në verën e ardhshme, këtë mundësi do ia japë pikërisht Anglia.
PANORAMASPORT.AL