Edhe pse është nën kontratë deri në vitin 2028, Kim Min-Jae mund të largohet nga Bayern Munich gjatë merkatos së janarit. Koreano-jugori nuk ka arritur deri tani të justifikojë shifrën 50 milionë euro që u pagua për të në vitin 2023 te Napoli dhe gjithmonë ka qenë një zgjedhje e dytë për mbrojtjen e bavarezëve.
Eksperti i merkatos, Ekrem Konur zbulon se për Kim Min-Jae ka interes konkret nga të paktën pesë klube të njohura si Milan, Arsenal, Tottenham, Aston Villa dhe Fenerbahce. Në anën tjetër, Bayern pret të përfitojë jo më pak se 30 milionë euro nga shitja e 30-vjeçarit.
Ende nuk dihet se në rast largimi të koreano-jugorit, Bayern do të ndërhyjë në merkato për të transferuar një qendërmbrojtës të ri apo do të vazhdojë të mbështetet te organika që ka, të paktën deri në fund të sezonit.