Diskutimet për emërimin e një drejtuesi të ri të futbollit te AC Milan pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Nevoja për një figurë me eksperiencë në rolin e drejtorit sportiv apo të një drejtuesi të sektorit të futbollit shihet si një çështje e rëndësishme për klubin.
Edhe pse merkatoja e verës ishte relativisht e kënaqshme, në Itali vazhdojnë diskutimet se Milani ka nevojë për më shumë eksperiencë në menaxhimin e merkatos, veçanërisht sa i përket shitjeve, planifikimit dhe përcaktimit të momentit të duhur për të ndërhyrë në treg.
Sipas gazetarit italian Carlo Pellegatti, pronari i klubit, Gerry Cardinale, e ka kuptuar nevojën për një drejtues të tillë menjëherë pas përfundimit të merkatos së verës.
“Gerry Cardinale e kuptoi qartë, sapo u mbyll merkatoja, nevojën për një drejtues të futbollit. Le të themi se prej disa ditësh ai ka qenë në kontakt me drejtorë sportivë dhe menaxherë, dhe diskutimet kanë qenë të gjata”, deklaroi Pellegatti në kanalin e tij në YouTube, sipas raportimit të MilanNews, transmeton ORAinfo.
Cardinale po zhvillon diskutime
Pellegatti shtoi se Cardinale ka një mënyrë të ngjashme veprimi edhe në raste të tjera, duke përmendur bisedimet që u zhvilluan më herët me Ruben Amorim përpara vendimit përfundimtar.
“Gerry Cardinale e ka këtë zakon, edhe me Amorim. Diskutimet përpara zgjedhjes së tij nuk ishin të shkurtra”, tha gazetari.
Sipas Pellegattit, pronari i Milanit mund të ketë vepruar disi në mënyrë impulsive kur, në maj, u vendos shkarkimi i të gjithë stafit teknik dhe drejtues.
Emërimi i një drejtuesi me përvojë në merkato do t’i jepte Milanit një tjetër strukturë në planifikimin e skuadrës, ndërsa mbetet për t’u parë se kush do të jetë emri që do të marrë këtë rol. /ORAinfo/