Edon Zhegrova do të vazhdojë aventurën e tij te Juventusi, të paktën për momentin, pasi mundësia e transferimit të tij te skuadra saudite Al-Ittihad është mbyllur përfundimisht.
Sulmuesi kosovar ka qenë një nga emrat më të përfolur gjatë kësaj vere në merkato, me të ardhmen e tij në Torino që ka mbetur për një kohë të gjatë në pikëpyetje. Situata u bë edhe më e komplikuar pas vendimit të trajnerit Luciano Spalletti për të mos e përfshirë atë në listën e Juventusit për Ligën e Evropës.
Në ditët e fundit, Al-Ittihad ishte shfaqur si një prej destinacioneve të mundshme për 26-vjeçarin. Megjithatë, edhe kjo pistë tashmë është mbyllur.
Sipas ekspertit të transferimeve, Fabrizio Romano, ishte vetë klubi saudit që vendosi të heqë dorë nga tentativa për transferimin e Zhegrovës.
“Edon Zhegrova nuk do t’i bashkohet Al-Ittihadit. Afati kalimtar në Arabinë Saudite tashmë është mbyllur dhe klubi vendosi të mos e vazhdojë marrëveshjen për Zhegrovën. Ai ishte opsioni i tretë në listën e tyre, por në fund zgjodhën të mos e realizonin këtë transferim”, ka bërë të ditur Romano.
Me dështimin e këtij transferimi, Zhegrova mbetet në dispozicion të Juventusit dhe tashmë sfida e tij është edhe më e qartë: të bindë Spallettin se e meriton një rol më të rëndësishëm në skuadër.
Reprezentuesi i Kosovës pati mundësinë të paraqitej edhe në derbin ndaj Milanit, ku u inkuadrua në minutën e 89-të.
Tani, për Zhegrovën nis një tjetër betejë – ajo për të fituar sërish besimin e trajnerit dhe për të gjetur vendin e tij në formacionin e “Zonjës së Vjetër”.