Vera mund të çonte në një divorc të pa pritur mes Hakan Çalhanoglusë dhe Interit, por mesfushori turk thotë se lajmi që qarkulloi nuk ishte i vërtetë. Në një intervistë për “Sky” organizatori flet për objektivat e këtij sezoni me zikaltrit dhe thotë se do të ishte i lumtur vetëm nëse fitonte gjithçka këtë sezon.Çfarë ndodhi gjatë Europianit. Ishte e vërtetë që donit të largoheshit nga Interi?
Ata që më njohin e dinë si jam. Rri gjithmonë në qetësi dhe nuk flas shumë. Më pëlqen të punoj dhe të përmirësohem. Mund të them që në këto 3 vite kam pasur fatin që të kem afër meje tifozë dhe shokë të shkëlqyer. Jam rritur edhe falë tyre. Nuk kam menduar kurrë të largohem nga Interi. Kam qenë i sigurt se do të qëndroja këtu, pastaj zërat në merkato qarkullojnë kot. Unë nuk kam thënë asgjë, por m’u desh që të reagoja për t’i qetësuar të gjithë.
Sa peshon fanella me një yll më shumë?
E dimë që është më e bukur kështu, por këtë vit skuadrat janë më të karikuara për të na mundur. Do të jetë shumë e rëndësishme që të konfirmohemi për atë që kemi bërë vitin e kaluar. Jemi duke punuar për këtë, edhe pse është shumë e vështirë prej të nxehtit. Por jemi gati për Xhenoan.
Sa po punoni për ta bërë rolin tuaj akoma më të rëndësishëm?
Unë besoj gjithmonë në atë që bëj. Sigurisht që edhe me ndihmën e stafit mjekësor jam rritur si lojtar dhe shokët me kanë ndihmuar. Ata më kuptojnë dhe unë i kuptoj dhe kështu është më e lehtë për të luajtur. Duhet të kemi gjithmonë të njëjtën dëshirë për të fituar dhe të njëjtën vendosmëri. Kjo është e rëndësishme.
Është e mundur që të rikonfirmohemi në aspektin e numrave si në sezonin e kaluar për ju dhe për Interin?
Unë shpresoj, por në futboll nuk i dihet kurrë. Unë kurrë nuk kam menduar që të shënoj kaq shumë gola sepse tani jam spostuar shumë mbrapa në fushë. Por nëse rastet vijnë sigurisht që dua ta çoj topin në portë. Jam më i qetë nëse fitojmë, pak rëndësi kanë golat.
Cilat do të jenë skuadrat më “bezdisëse” në këtë kampionat? Kush është rivali juaj?
Të gjitha skuadrat janë forcuar shumë dhe kjo shihet. Sekreti ynë është vendosmëria dhe dëshira për të fituar. Siç e thashë edhe më përpara, që shumë duan të na mundin, por ne duhet të jemi vetvetja. Do të jetë më e vështirë të konfirmohemi këtë sezon.
Çfarë gabimi nuk duhet të bëjë Interi këtë sezon?
Nuk duhet të dorëzohemi dhe të mos humbasim motivimin që kemi pasur gjatë kësaj kohe. Duhet të bëjmë akoma më shumë. Jam dakord me trajnerin që të fitojmë sërish kampionatin është e vështirë. Kemi edhe lojtarë të rinj që do të na japin një dorë, por të shohim.
Sa stimuluese është për ju që të keni një sulmues si Taremi përpara. Çfarë mund t’i sjellë Interit?
Ai luan për skuadrën, vrapon, punon dhe mbron. Është ai që na duhej, një lojtar i fortë përpara që është i qetë përpara portës dhe shumë pozitiv si njeri.
A është Lautaro për “Topin e Artë”?
Shpresoj që po. E ka merituar rinovimin me Interin. Është kapiteni ynë dhe di që të menaxhojë shokët e skuadrës dhe të bëjë gjëra ndryshe në fushën e lojës. Ai shënon shumë dhe kjo është gjëja më e rëndësishme. Shpresoj që ta fitojë.
Do të jeni i lumtur në fundin e sezonit nëse…?
Fitoj gjithçka me Interin.
GENTJAN ALINANI-PANORAMASPORT.AL