Monday, 9. November 2026
Sport

Eni Vasili: 88% e programeve të RTSH-së prodhohen në një studio, ngritja e ateliesë do të mundësojë rinovimin tërësor të programacionit

GS 09/11/2026 2 Min. Lesezeit

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ka evidentuar mungesën e infrastrukturës moderne televizive, duke e cilësuar ngritjen në këmbë të ateliesë si një ndër nevojat kryesore të institucionit.

Vasili bëri të ditur se aktualisht RTSH ka kapacitete të kufizuara për prodhimin e programeve të veta, pasi pjesa më e madhe e tyre realizohet në një studio të vetme.

“Sot RTSH ka mundësinë e prodhimit të 88% të programeve të veta vetëm në një studio dhe 20% në dy studio të improvizuara”, u shpreh Vasili.

Sipas saj, vënia në funksion e ateliesë do të krijonte mundësinë për një ndryshim tërësor të programacionit të televizionit publik, duke i dhënë RTSH-së një hapësirë të dedikuar dhe moderne për realizimin e produksioneve të veta.

“Ngritja në këmbë e ateliesë do të bënte të mundur një rinovim tërësor të programacionit të RTSH-së, duke i dhënë asaj mundësinë të ketë një shtëpi për programet e veta, e cila do të ishte elementare për çdo televizion publik. Pra, të ketë një studio moderne për të realizuar programacionin e saj”, deklaroi Vasili

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së u bëri gjithashtu thirrje anëtarëve të Komisionit që të njihen nga afër me kushtet dhe mundësitë reale teknologjike që disponon aktualisht transmetuesi publik për prodhimin e programeve.

“Do t’ju ftoja të vini të shihni mundësitë reale teknologjike që ka RTSH për prodhimin e saj”, theksoi Vasili.

Në vijim të fjalës së saj, Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH theksoi se përveç përmbajtjes dhe narrativës së programeve, një rëndësi të veçantë ka edhe teknologjia dhe cilësia e imazhit televiziv.

“Sado të arrish të kesh përmbajtje dhe narrativë të mirë, shumë e rëndësishme është teknologjia dhe imazhi televiziv. Kjo do të ishte një nga mbështetjet kryesore që do të kërkoja për RTSH-në në periudhën tjetër që mbetet”, theksoi Vasili.

/rtsh.al/

Teilen: