Monday, 9. November 2026
Sport

Nga digjitalizimi te modernizimi i RTSH Sport, Vasili prezanton prioritetet e RTSH-së

GS 09/11/2026 2 Min. Lesezeit

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, gjatë fjalës së mbajtur në Komisionin për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik, ka prezantuar kërkesat për investime në teknologji për vitin 2027, duke vënë theksin te transformimi digjital dhe modernizimi i infrastrukturës së transmetuesit publik. Vasili bëri të ditur se investimet e kërkuara synojnë digjitalizimin e transmetimeve, rritjen e mbulimit të sinjalit në të gjithë territorin, si dhe përshtatjen e RTSH-së me zhvillimet e reja teknologjike.

“Programi i projekteve teknike për futjen e teknologjive të reja, pra investime në teknologji. Kërkesa e fondeve për investime bëhet në kuadër të transformimit digjital dhe modernizimit të infrastrukturës dhe përfshin digjitalizimin e transmetimeve, rritjen e mbulimit të sinjalit në gjithë territorin.”

Duke detajuar projektet ku do të përqendrohen investimet, drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së renditi disa ndërhyrje të rëndësishme teknologjike, mes të cilave rinovimin e studiove dhe regjive, krijimin e një platforme për aksesin online, si dhe pajisjen e ateliesë me teknologjinë e nevojshme.

“Rinovimi i regjive me qëllim përshtatjen me zhvillimet teknologjike të kohës, fondi i kërkuar 151 milionë lekë. Krijimi i platformës për aksesin online është 84 milionë lekë. Vënia në punë e ateliesë dhe furnizimi me pajisje teknike është 305 milionë lekë dhe investimi për pavarësinë teknike për RTSH Sport 561 milionë lekë.”

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i investimeve është krijimi i pavarësisë teknike për RTSH Sport, ndërsa në tërësi kërkesat për investime teknologjike për vitin 2027 paraqiten si pjesë e planit të modernizimit të institucionit.

“Kërkesat për investime në teknologji në 2027 paraqiten në vlerën 561 milionë lekë dhe kërkesa për fond shtesë është 511 milionë lekë.”

/rtsh.al/

Teilen: