Faktori “Conte” në ndeshjet e mëdha, komandon mirë ekipin dhe nervozon kundërshtarin
Kur deti ka dallgë të forta, është kapiteni ai që nxjerr të tijtë nga stuhia. Këtë po bën dhe Antonio Conte te Napoli. Në ndeshjet e mëdha trajneri italian bën diçka më shumë.
Në këtë pjesë të parë të sezonit Conte ka qenë faktor në sfidat e mëdha. Humbjet e vetme janë ato me Milanin në Milano dhe City-n në Manchester. Pjesa tjetër e këtyre ndeshjeve, kundër Inter, Roma dhe Juventus, flasin për të.

Episodi i fundit ishte gjysmafinalja e Superkupës, ku Napoli fitoi 2-0 ndaj Milanit. Në “Al-Awwal Park”, zëri i trajnerit dëgjohej në gjithë stadiumin. Një “markim” i rreptë ndaj lojtarëve të tij, që lë të kuptohet se kur ndeshjet peshojnë seriozisht, Conte nuk i lë asgjë rastësisë.
Në Arabinë Saudite tensioni me Allegri-n kulmoi me takimin e munguar pas ndeshjes. Filloi me faullin e Rabiot kundër Politano, kur i gjithë stoli i Napolit u ngrit më këmbë dhe kërkoi kartonin e kuq për francezin.
Kjo skenë u pa gjatë gjithë pjesës së dytë. Kur Allegri ankohej për faullet e Napolit, dëgjohej zëri i Conte-s që ulërinte: “Mjaft!”. Një ndeshje brenda ndeshjes, që Antonio Conte tregoi se di ta çojë siç do ai.
E ka bërë edhe më parë, në ndeshje të tjera të rëndësishme, ku trajneri i Napolit ka ditur të komandojë skuadrën në fushë, por edhe të “luajë” me kundërshtarin e kolegun.