Friday, 5. June 2026
Sport

FC Prishtina prezanton Orges Shehin

GS 05/06/2026 2 Min. Lesezeit

FC Prishtina njofton se ka arritur marrëveshje me trajnerin Orges Shehi, i cili do ta drejtojë ekipin nga sezoni i ardhshëm.

Shehi vjen në kryeqytet me një përvojë të madhe në futbollin shqiptar dhe rajonal, pasi gjatë karrierës së tij ka udhëhequr skuadra të njohura si Skënderbeu, Kukësi, Partizani, Ballkani dhe së fundmi Tirana.

Gjatë periudhës te Tirana, ai fitoi titullin kampion dhe Superkupën e Shqipërisë, ndërsa me Skënderbeun triumfoi në Superkupën e Shqipërisë. Për punën dhe sukseset e tij, Shehi është shpallur dy herë “Trajneri i Vitit” në Shqipëri, në vitet 2022 dhe 2023.

Përveç karrierës si trajner, Orges Shehi ka pasur edhe një karrierë shumë të suksesshme si portier, duke qenë një nga emrat më të njohur të futbollit shqiptar ndër vite.

Pas zyrtarizimit të marrëveshjes me klubin, trajneri Orges Shehi u prononcua:

“Është kënaqësi dhe përgjegjësi e madhe që jam pjesë e një klubi si Prishtina. Shpresoj dhe besoj se të gjithë së bashku, klubi, stafi dhe tifozët do të bëjmë maksimumin për ta rikthyer FC Prishtinën aty ku i takon”, ka thënë Shehi.

FC Prishtina i ka uruar mirëseardhje Orges Shehit dhe shumë suksese në drejtimin e klubit.

Teilen: