Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka pranuar një letër falënderimi dhe vlerësimi nga Arsene Wenger, Shefi i Zhvillimit Global të Futbollit në FIFA, për angazhimin dhe përkushtimin në themelimin e “FIFA Talent Academy Kosova”.
Në letrën drejtuar presidentit të FFK-së, Wenger ka vlerësuar punën e federatës dhe bashkëpunimin e treguar gjatë përgatitjeve për themelimin e kësaj akademie.
“Përkushtimi juaj i palëkundur ka qenë thelbësor në avancimin e kësaj nisme. Eventi historik i mbajtur në Prishtinë është dëshmi e profesionalizmit tuaj, përsosmërisë organizative dhe pasionit për zhvillimin e futbollit”, thuhet në letrën e Wengerit.
Ai ka theksuar se mbështetja dhe burimet e ofruara nga FFK-ja, nga harmonizimi me standardet e FIFA-s deri te prezantimi i vizionit gjatë eventit, kanë luajtur rol të rëndësishëm në këtë proces.
Sipas Wengerit, këto përpjekje dëshmojnë rolin e rëndësishëm të Kosovës në zhvillimin dhe kultivimin e talenteve të futbollit, duke e cilësuar vendin si një shembull që mund të ndiqet edhe nga federata të tjera.
“Me kënaqësi presim që ta forcojmë edhe më tej partneritetin tonë, ndërsa ecim përpara në këtë kapitull të ri dhe emocionues. Së bashku, mund të vazhdojmë të ndërtojmë një trashëgimi të qëndrueshme për futbollin në Kosovë dhe më gjerë”, ka shkruar Wenger.